Shkrimtari i madh shqiptar, punëtor i UDBA-s: Hulumtimi i Tares që po trondit njerëzit
Pak ditë më parë, Auron Tare publikoi një hulumtim për dy shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, të cilët sipas një sërë dokumenteve të CIA-s amerikane, rezultonin se kanë patur bashkëpunim me shërbime të huaja sekrete.
E menjëherë pas publikimit ky studim bëri aq shumë zhurmë, me mediat që nxituan të bëjnë publikime pa lexuar ende punimin, si dhe me studiues të tjerë që iu kacafytën Tares.
Studimi i Tares trajton një temë mjaft delikate, për marrëdhëniet e komplikuara të dy shkrimtarëve Martin Camaj dhe Ernest Koliqi me shërbimet e huaja sekrete.
Tare sjell një dokument ku thuhet se Martin Camaj, kur ishte mësues në moshë të re në veri të Shqipërisë ka nënshkruar për t’u bërë agjent i Sigurimit me pseudonimin “Bregu i Kuq”.
Ndërsa për Koliqin thotë se kishte lidhje të ngushta me shërbimin sekret politik gjerman SD.
Hulumtimi i Tares bazohet në arkiva të shpërndara në disa vende, specifikisht nga dosjet arkivore të Sigurimit të Shtetit të CIA-s dhe agjenturave të tjera të huaja.
REAGIMET
Disa studiues e kanë konsideruar shkrimin e Tares, si një mënyrë për të zhvlerësuar kontributin e shkrimtarëve në letrat shqipe. Por Tare disa herë ka sqaruar se i referohet arkivit amerikan edhe nuk ka si qëllim studimin e teksteve letrare.
Reagimi i parë ishte nga studiuesi katolik Ardian Ndreca, i cili e cilëson Taren si “megallomanan”, e thotë se historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin “në krahun e drejtë“.
Ndreca thotë se shkrimi i Tares nuk kishte asnjë fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e shumë hamendësime.
Behar Gjoka nga ana tjetër mendon se këto janë kërkime dytësore për një personazh, si Martin Camaj që ka kontribuar në ngritjen e degës së Gjuhës shqipe në Mynih të Gjermanisë. Ai e konsideron “të paplotë” punimin e Tares. Edhe poeti e shkrimtari Primo Shllaku është përfshirë në debatin e krijuar, por ai i përgjigjet Adrian Ndrecës duke i thënë se për këtë “duhet të flasë Akademia e Shkencave” dhe sqaron se Tare nuk është marrë fare me krijimin artistik të dy shkrimtarëve.
E siç ka patur kritika, Tare ka gjetur edhe mbështetje. Ibrahim Kelmendi shkruan në “Facebook”-un e tij se studiuesi Auron Tare ka bërë një shërbim të vyer me gjetjen e shënimeve që përmbajnë dosjet e CIA-s amerikane dhe shërbimeve simotra për shkrimtarët Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, të cilët, sipas tij “pos veprimtarisë gjuhësore, arsimore e letrare, ishin edhe marioneta të shërbimeve të huaja”
TARE: Në asnjë rresht s’kam shkruar se Koliqi ka punuar me UDB-në
I ndërgjegjshëm që zbulimi i këtyre dokumentave do të shkaktonte zhurmë, Tare i parapriu me një postim në rrjetet sociale me një apel: “Mos shani pa lexuar shkrimin”. Por mesa duket kjo nuk ndodhi.
Disa media madje ndryshuan edhe informacionin që ai kishte publikuar, duke thënë se sipas Tares, “Koliqi ka qenë bashkëpunëtor i UDB-së”, gjë e cila nuk përmendet në asnjë fjali të këtij punimi.
“Në fakt në asnjë rresht nuk kam shkruar se Koliqi ka punuar me UDB-në. Por gjithsesi jemi në Shqipëri dhe medias i falet edhe kur nuk të citojnë saktësisht.”– shkruan Tare.
E në fakt, në çdo moment të punimit të tij, Tare kujdeset të mos arrijë vetë në përfundime, e aty ku të dhënat janë të paqarta, ai ngre dyshime.