Shkëlqimi i VETËVENDOSJE!’s dhe rënia e PDK’së, që disa nuk duan ta shohin
Pa dyshim që ndër propagandat më absurde në drejtim të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka qenë ajo që e konsideronte atë si pjellë të PDK’së. Kjo shpifje që prek kufirin në njërën anë të qesharakes e në anën tjetër të idiotësisë, është përtypur shpesh nga kundërshtarë që nuk kanë pasur asnjëherë argumente me të cilat mund ta luftojnë orientimin e qartë programor të VV’së, ata që e paten të pamundur të lënë shenja në pastërtinë e VV’së, si dhe ata që janë të dorëzuar kundruall konsistencës që e ka karakterizuar VV’në përgjatë gjithë kohës dhe s’kanë si ta mohojnë atë.
Sikurse edhe më herët, edhe në zgjedhjet e fundit, ishte vetëm VV që e kishte të qartë pozicionin e saj kundër partisë së Kadri Veselit, për të cilën ekziston dakordim thuajse nga secila parti se është e keqja më e madhe e vendit. Por, vetëm VV asnjëherë nuk ra pre e saj, duke mos u joshur as nga pushteti e duke mos u mashtruar e kushtëzuar në asnjë mënyrë nga kjo parti, e cila sot ka mbetur shumë pak parti, e më shumë është një grumbull njerëzish të kontrolluar nga një klan kriminelësh që me çdo kusht e duan pushtetin për ta pasur të sigurtë lirinë e tyre.
Në zgjedhjet e 11 qershorit, kishim një rreshtim të paparë më herët të subjekteve politike. Nga njëra anë e kishim PDK’në që ia ndërpreu mandatin në gjysmë partnerit në koalicion qeverisës, LDK’së, e cila pas mocionit që i dha fund qeverisë së Isa Mustafës, i futi nën sqetull iniciuesit e këtij mocioni, AAK’në e NISMA’n, të cilat para e pas mocionit e mohonin kategorikisht koalicionin parazgjedhor me PDK’në. Në anën tjetër e kishim LDK’në e dërmuar, të shfrytëzuar e të mashtruar disa herë nga PDK’ja, e cila hyri në koalicion parazgjedhor me dy parti jashtëparlamentare, AKR’në e Alternativën, por, e cila nuk mundi t’i bindë më votuesit që s’do të përfundojë nën sqetullën e Kadri Veselit. Kurse, pa asnjë koalicion e me qëndrim të prerë kundër çfarëdo koalicioni me PDK’në, para e pas zgjedhjeve, ishte VV, e cila kështu ia doli të bëjë revolucion elektoral, duke shënuar rritje që nuk e kemi parë te asnjë parti në historinë e Kosovës, rritje kjo që i mundësoi të ngjitet si partia e pare në vend.
Koalicionet nga të dy palët u realizuan në orët e fundit, në mesnatë, nga zori e për faqe të zezë. Pas kësaj, disa gjëra tashmë ishin të qarta. Fillimisht, u qartësua se të gjitha partitë e kishin frikë rritjen e VV’së, gjë që konfirmohej edhe në sondazhet vendore e ndërkombëtare dhe pikërisht kjo frikë i solli të dy “koalicionet e territ”. Së dyti, këto koalicione e qartësuan përfundimisht se qëndrim të prerë në raport me PDK’në ka vetëm VV dhe është pikërisht VV, partia e vetme e cila mund të flas për konsistencë në qëndrimet dhe veprimet e saj. Dhe së treti, dukej qartë se përkundër tre opsioneve, gara ishte e përqëndruar mes koalicionit PDK-AAK-NISMA (PAN) dhe VV’së, e cila shihej si e vetmja që mund ta nxjerrë jashtë lojës këtë koalicion që preferon të vetëquhet “koalicion i krahut të luftës”, por që në të vërtetë janë njerëzit që në mënyrën më të pamëshirshme i përdhosën vlerat e luftës dhe e njollosen rezistencën e drejtë çlirimtare.
Pas 11 qershorit u qartësua gjithçka. Qytetarët dhanë votë për ndryshim, duke e rritur deri në dyfishim VV’në e duke i ndëshkuar gjitha partitë e tjera. Nga përqindjet e rezultateve preliminare që tashmë janë të ditura për gjithësecilin, rezultoi që VV deri më tani t’i ketë 31-32 ulëse, nga 16 sa i kishte në zgjedhjet e vitit 2014, pra del të jetë partia e parë në vend, e që do ta zë mbi ¼ e ulëseve në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër, partia e cila ishte e para në zgjedhjet e vitit 2014, PDK me gjithsej 37 ulëse atëherë, u zvogëlua për aq sa u rrit VV, pra doli me 16 deputetë më pak, si partia e tretë, me vetëm 21 vende në Parlament. Teksa partnerët e saj në koalicionin parazgjedhor arritën të nxirreshin disi, pasi që AAK humbi vetëm 1 deputet nga 11 sa kishte në zgjedhjet e vitit 2014, kurse NISMA doli fituese e koalicionit, duke e rritur numrin nga 6 në 8. Ndërsa, LDK e cila e vetmuar në zgjedhjet e vitit 2014 kishte siguruar 30 deputetë, në këto zgjedhje me AKR’në e Alternativën ende nuk i ka të sigurta 30 ulëse në Parlament. E nga këto 30 ulëse që ende nuk i kanë të sigurta koalicioni LAA, LDK i ka vetëm 24, pra 6 më pak sesa kishte në mandatin e fundit. Kurse 6 të tjerat janë të ndara mes AKR’së që i ka 4 dhe Alternativës e cila përfundoi vetëm me 2.
Këto rezultate janë pasqyrë e qartë ku shihet fituesi në njërën anë e në anën tjetër humbësit. E nëse duam të flasim për një fitues dhe një humbës nga ky process elektoral, qartësisht shihet se fituesi i këtyre zgjedhjeve është VV e humbësi kryesor është PDK. E para u dyfishua dhe u rrit për 16 deputetë, kurse e dyta u zvogëlua po për aq. Në njërën anë e kemi VV’në me kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, i cili del të jetë me i votuari i këtyre zgjedhjeve. E në anën tjetër e kemi PDK’në me minus 16 deputetë, pa kandidat për kryeministër, post që në fakt e dorëzoi tek një parti e vogël, me vetëm 10 deputetë.
Në gjithë këtë mes, disa analistë rritjen e VV’së, që nuk donin ta pranojnë para zgjedhjeve, tash duan që të mos e komentojnë aq, ose kur e komentojnë, duan ta bëjnë këtë në atë mënyrë që kjo rritje të cilësohet si një process ku nuk ka gisht VV. Ky shkëlqim i VV’së duket se është verbues për këtë klikë njerëzish, që tashmë flasin për rritjen tone si produkt i “reformimit”, “ndëshkim ndaj partive të tjera” ose thjesht s’flasin fare. Kurse, rënia drastike e PDK’së, nuk e di të ketë qenë aq goditëse sa t’i lë pa fjalë ose heshtja e tyre mbase është një vendim që të mos bëhet aq e madhe kjo humbje spektakulare e Kadri Veselit. Por, është kot. S’mund të heshtet një rënie që kushton 16 deputetë. Rikujtojmë se PDK humbi deputetë aq sa në mandatin e kaluar kishte i gjithë grupi parlamentar i VV’së. Paramendojeni sikur VV të humbiste 16 deputetë, pra të mos e kalonte pragun?! Ç’debate do të kishte gjithandej?! Nuk mund asesi të fshihet rënia e PDK’së. PDK ka rënë. PDK nuk e ka kaluar pragun.
Autori është zyrtar për media i Lëvizjes Vetëvendosje!