Shkarkohet nga pozita U.D Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut

Bekir Gërguri, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), është shkarkuar nga kjo pozitë, raporton Periskopi.
Përvec Gërgurit, nga puna u shkarkua edhe zëvendës Kryeshefii Ekzekutiv, Ramadan Budakovën, që të dy ishin ushtrues të detyrës tash e një vit.
Vendimi u bë i ditur përmes një njoftimi të lëshuar nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut.
Sipas njoftimit, Bordi i Drejtorëve po ashtu ka marrë vendim për shpalljen e konkursit publik për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, konkurs ky që do të shpallet të hënën.
Njoftimi:
Njoftim nga Bordi i Drejtorëve të KEK Sh.A.
Bordi i Drejtorëve (BD) të KEK Sh.A., duke qenë i përkushtuar për qeverisjen e korporatës në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat që rrjedhin nga Ligji për Ndërmarrjet Publike, si dhe parimet e njohura ndërkombëtare për qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike, në mbledhjen e mbajtur dje, më datë 27.02.2025, ka marrë këto vendime:
Bordi i Drejtorëve ka vendosur të lirojë z. Bekir Gërguri nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv (u.d.), dhe z. Ramadan Budakova nga pozita e Zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv (u.d.), të cilët kanë qenë ushtrues të detyrës tash e një vit.
Bordi i Drejtorëve ka marr vendim për shpalljen e Konkursit Publik për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të KEK Sh.A., dhe ka udhëzuar Menaxhmentin që Konkursi të shpallet ditën e Hënë me datë: 03.03.2025.
Në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (u.d.) të KEK Sh.A., Bordi ka emëruar z. Gramos Hashani, i cili deri tani ka mbajtur pozitën e Zyrtarit Kryesor Financiar dhe Thesarit (ZKFTH) në KEK Sh.A. Ndërsa, në pozitën e ZKFTH (u.d.) të KEK Sh.A., është emëruar z. Gëzim Paci, i cili deri tani ka mbajtur pozitën Menaxher i Pasurisë në Divizionin e Financave.
Bordi i Drejtorëve ka falënderuar z. Gërguri dhe z. Budakova për kontributin e tyre të deritanishëm, e sidomos për menaxhimin e situatës së krijuar pas sulmit në Kanalin e Ibër Lepencit, dhe u ka uruar suksese në angazhimet e mëtutjeshme brenda Korporatës.
Në emër të Bordit të Drejtorëve.