Shkaku i mosfunksionalizimit, rrezikohet objekti i kulturës në Zhur
Ky projekt kapital, sipas këtij subjekti opozitar, paraqet një rast të paprecedent, ngase për ndërtimin dhe funksionalizimin e këtij objekti nuk kanë mjaftuar as 9 vjet.
“Ndërtimi ka nisur më 2009 dhe vlera e investimit kalon shifrën e 1.5 milion eurove, por për ironi as kjo shumë marramendëse për këtë objekt nuk ka mjaftuar që punimet të mbaronin në kohë. Këtë papërgjegjshmëri të komunës edhe më tragjikomike e bëjnë deklaratat famoze të zyrtarëve të komunës me daljet e tyre publike të fundvit kur patën deklaruar se objekti në fjalë, i cili është dashur të ishte në funksion vite më parë, do t’u dhurohet zhurjanëve brenda vitit. Prapa këtij refreni të vazhdueshëm të këtyre zyrtarëve fshihet abuzimi, keqpërdorimi dhe paaftësia qeverisëse”, thuhet në një reagim të Qendrës së VV-së në Prizren.
Dy muaj më parë “Koha Ditore” pati raportuar se projekti i ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit është duke u hetuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në bazë të një autorizimi të lëshuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në qershor të vitit 2016. Ndonëse ky projekt është nën llupën e hetuesve policorë, pak muaj më parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka planifikuar mjete nga buxheti i saj për të. Autoritetet komunale të Prizrenit presin që me investimet që parashihet t’i realizojë MKRS-ja në Pallatin e Kulturës në Zhur, ky objekt të jepet pastaj në shfrytëzim të qytetarëve të kësaj ane…/Koha.net