Shkaktarët e erës së gojës
A ju ka ndodhur ndonjëherë që ndonjë mik apo partneri të ju bëjë me dije që “hm…pakëz po të vie era e gojës”?. Shumica e njerëzve me halitozë (erë të gojës) nuk e dinë që u vjen era. Edhe nëse i lani dhëmbët rregullisht, nuk jeni larg rrezikut. Më poshtë ju paraqesim tetë shkaktarë të erës së gojës që ndoshta nuk i keni ditur.
Mënyra e ushqimit
Ushqimet me sasi të larta të proteinave apo produkteve të qumështit japin sasi të mëdha të aminoacideve, të cilat janë livadh me lule për baterie. Një studim shkencor i bërë vitin e kaluar ka treguar që ekziston lidhje në mes të erës së keqe të gojës dhe obezitetit, transmeton Telegrafi.
Frymëmarrja me gojë
Secili proces që i than indet e gojës, duke e ndaluar pështymën t’i largojë bakteret nga gjuha, e inkurajon erën e keqe të gojës. Kandidatët që më së shumti e përjetojnë këtë proces janë personat që vuajnë nga astma dhe ata që gërhasin natën.
Ilaçet
Pështyma i largon bakteret që i japin erën e keqe gojës. Shumë ilaçe, përfshirë këtu edhe antidepresivët, diuretikët, bile-bile edhe aspirina mund ta thajnë gojën. Kështu që, me më pak pështymë do ta keni më vështirë t’i largoni bakteret që ju japin erë.
Mos-ngrënia e mëngjesit
Ndoshta jeni të informuar për përparësitë që ka mëngjesi i mirë për trupin dhe mendjen e njeriut. Përveç këtyre, ai ndihmon në largimin e erës së gojës duke e stimuluar prodhimin e pështymës e cila i largon bakteret nga gjuha. Era e gojës do ju vijë prapëseprapë nëse do të hanit mëngjes të përgatitur me qepë ose hudhër.
Alkooli
Konsumi i lartë i alkoolit shkakton dehidrimin e trupit (largimin e lëngjeve nga trupi).Kështu që, nëse konsumoni alkool, goja juaj do të thahet dhe bakteret erë-këqija do t’ju shkaktojnë erë të gojës.
Bakteret
Lloji i baktereve që ju jep erë më së shumti rri në gjuhë, duke liruar gazra gjatë procesittë mbërthimit të copëzave të ushqimit dhe substancave të copëtuara nga pështyma. Këto baktere shumohen gjatë natës, sepse në atë kohë gjëndrat pështymore e ngadalësojnë prodhimin e pështymës (për këtë arsye neve na vjen era e gojës kur zgjohemi nga gjumi). Disa njerëz kanë numër më të madh të këtyre baktereve erë-këqija, që e shpjegon faktin se pse disa njerëzve u vjen era e gojës më shumë se të tjerëve. Një studim i tanishëm tregon që bakteri H.pylori e cila është përgjegjëse për ulcerat e lukthit, mund të shkaktojë erë të gojës dhe sëmundje të mishrave të dhëmbëve nëse e gjen rrugën deri te gjuha juaj.
Sëmundjet e brendshme
Nëse keni erë të gojës shumë të rëndë, ju keni mundësi që jeni duke vuajtur nga ndonjë sëmundje e brendshme. Për shembull, insuficienca renale (e veshkave) i jep gojës një erë të rëndë. Po ashtu edhe diabeti i pakontrolluar mund t’ju dërgojë sinjale duke shkaktuar një erë të pazakontë të gojës.
Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes
Infeksionet e dhëmbëve apo mishit të gojës janë shkaktar i njohur i erës së gojës. Ajo çka shumica e njerëzve nuk e dinë është që erën e gojës mund të ta japë edhe bronkiti, sëmundja e sinuseve apo thjeshtë një ftohje. Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes i copëtojnë indet duke e filluar një rrjedhje të qelizave dhe qelbit që i ushqejnë bakteret erë-këqija.