Shkaktarët dhe ilaçet për shtypjen e ulët të gjakut gjatë shtatzënisë
Shtypja e ulët e gjakut gjatë shtatzënisë është gjë normale. Ndryshimi i hormoneve dhe ndryshimet tjera të cilat ndodhin në trupin tuaj mund të ndikojnë në shtypje të gjakut, e veçanërisht nëse jeni në tremestrin e parë apo të dytë të shtatzënisë.
Shtypja e ulët e gjakut gjatë shtatzënisë zakonisht nuk shkakton probleme serioze shëndetësore, dhe shumica e grave mund ta trajtojnë në shtëpi.
Sidoqoftë, shtypja shumë e ulët e gjakut mund të jetë arsye për t’u brengosur.
Çfarë e shkakton uljen e shtypjes së gjakut gjatë shtatzënisë?
Shtypja e gjakut ndryshon varësisht nga nivelet e energjisë së gruas, nervoza, stili i jetës dhe nivelet e stresit. Shtypja e gjakut mund të rritet dhe zvogëlohet varësisht nga koha e ditës.
Shtypja e gjakut e një gruaje shtatzënë mund të jetë e vogël në 24 javët e para të shtatzënisë, dhe kjo mund të ndodh nga sistemi i qarkullimit të gjakut sepse enët e gjakut zgjerohen për ta lejuar gjakun të rrjedh në mitër.
Përveç kësaj, faktorë tjerë të cilët ndikojnë në zvogëlimin e shtypjes së gjakut te gratë shtatzënë janë edhe infeksionet, reaksionet alergjike, dehidratimi, gjakderdhja e brendshme, anemia, etj.
Rreziqet dhe efektet e shtypjes së ulët të gjakut te bebja
Një nga rreziqet më të mëdha të grave shtatzënë që vuajnë nga shtypja e ulët e gjakut mund të jetë rrëzimi nga të rënit fikët. Disa gra me shtypje të ulët të gjakut, kur ngriten në këmbë me shpejtësi pasi kanë qenë ulur mund t’u bie të fikët.
Ky fenomen është i rrezikshëm sepse gruaja mund ta dëmtojë veten nëse rrëzohet dhe varësisht nga dëmet mund të rrezikohet edhe shëndeti i bebes.
Trajtimi
Zakonisht nuk ka tretman mjekësor për shtypje të ulët të gjakut gjatë shtatzënisë, por gratë mund të provojnë ilaçe shtëpiake për lehtësimin e simptomave.
Këto tretmane përfshijnë pushimin, konsumimin e sasive të mëdha të lëngjeve, si dhe konsumimin e ushqimeve të shëndetshme.