Shikimi rekord sy më sy i Furyt e Usykut
Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk kanë shikuar njëri-tjetrin në sy për 11 minuta e 20 sekonda, e vlerësuar si njëra prej përballjeve më të jashtëzakonshme, ndoshta më e gjata në historinë e boksit.
Britaniku 36-vjeçar, Fury, do të ballafaqohet me Usykun të shtunën në Arabinë Saudite, në rimeçin për titullin e botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist, për titujt e botës WBA, WBO dhe IBF.
Asnjëri prej tyre nuk kishte diçka për të thënë në konferencën për shtyp të enjten. Të dy insistuan se fjalët kanë mbaruar.
Përballja sy më sy, megjithatë, ishte momenti më i diskutuar për luftën e kësaj jave dhe ka shfaqur edhe betejën mendore të dy boksierëve më të mirë në planet, ka shkruar BBC të enjten.
Pas disa minutave të kaluara mes tyre, organizatorët nisën një plan për ta ndarë këtë dyshe. Presidenti i WBC-së, Mauricio Sulaiman, ishte i pari që provoi t’i bindte ata, por asnjëri nuk e ndalte shikimin.
Një copë karte dhe një shami u vendos mes tyre.
Djersë pati në kokën e Furyt në momentin kur boksierët nisën të lëshonin fjalë në drejtim të njëri-tjetrit.
“Lepuri do të kapet tani. I therur. I ndarë në pjesë”, i ka thënë Fury Usykut.
“Mos ki frikë”, iu kundërpërgjigj Usyk.
Më pas Fury duke bërtitur nisi të largohej. Disa momente më vonë, ai është parë duke kërcyer me bateristët që performonin jashtë dhomës së konferencës për shtyp.
Në muajin maj, 37-vjeçari Usyk fitoi ndaj Furyt dhe u bë kampioni i parë i padiskutueshëm i peshës së rëndë në boks, në 25 vjet. Ai kishte fituar me rezultatin 115:112 dhe 114:113, ndërsa gjyqtari i tretë ia kishte dhënë fitoren Furyt, 114:113.
Lennox Lewis së fundmi e ka arritur një sukses të tillë.
Meçi mes Furyt dhe Usykut do të organizohet më 21 dhjetor në Riad të Arabisë Saudite.
Në muajin maj, Usyk pati natë historike duke i fituar të katër titujt e botës në peshën e rëndë.
I arti nga Ukraina është i pamposhtur në 22 meçe, ndërsa 14 prej tyre i ka me nokaut.
Fitorja ndaj Furyt është vlerësuar si më e mira në karrierën e tij. Por ai ka mposhtur edhe boksierë si Anthony Joshua, Daniel Dubois dhe Tony Belleë.
Fury 36-vjeçar mund ta shfrytëzojë kësaj radhe gjatësinë më mirë.
Humbja nga Usyku ishte e para për Furyn në 16 vjet në boksin profesionist.
Tani statistikat e tij kanë ndryshuar. Ai ka 34 fitore, një humbje dhe një barazim.
Fitoret më të mëdha të Furyt kanë qenë ato ndaj Deontay Wilderit, Wladimir Klitschkos dhe Dillian Wytet.
Usyku, sipas njohësve të boksit, vlerësohet më i freskët në boksin profesionist të paktën, pasi ka 14 meçe më pak të zhvilluara sesa Fury që ka 36 në total.
Fury ka boksuar në 242 raunde gjithsej, teksa Usyku ka garuar në vetëm 189 raunde.