Shfaqja që po e kundërshtojnë organizatat e luftës, shfaqet sonte në Teatër

Shfaqja që po e kundërshtojnë organizatat e luftës, shfaqet sonte në Teatër

Ende pa u dhënë premiera e saj, dhe ende pa e parë e pa dëgjuar çka ka për të na ofruar regjisori, aktorët, teksti e skena, dikush është kundër saj.

Dje, Organizatat e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kërcënuar Jeton Nezirajn, që ai mos ta inskenojë shfaqjen “Bordel Ballkan”.

“Do të doja ta ftoj publikun që të jetë i pranishëm në premierë dhe ta përkrahë atë – kjo është një betejë që duhet të na shqetësojë të gjithëve, betejë e njerëzve që duan lirinë e kreativitetit, lirinë e fjalës, para kërcënimeve dhe thirrjeve për vrasje” ka shkruar sot dramaturgu Jeton Neziraj.

Premiera e shfaqjes, në anën tjetër, është sonte, përderisa OVL e UÇK-së kanë kërcënuar se nuk do ta lejojnë dhënien e kësaj shfaqjeje në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Artistë të ndryshëm e kanë përkrahur Nezirjan dhe kanë kërkuar nga publiku të vijnë sonte në premierën e “Bordel Ballkan”, me fillim prej orës 20:00, shkruan KultPlus.com

Bordel Ballkan është bazuar në dramën e Eskilit “Orestia”. E zhvendosur në një kontekst të ri – ballkanik – Bordel Ballkan flet për një lloj çoroditjeje morale e shpirtërore nga e cila vuajmë në këto anë. Drama shpërfaqë një lloj besimi të rremë të cilin ia mveshim vehtes si një rrobe e vjetër, e pas së cilës fshihemi, si duke dashur të tregojmë që ne jemi zotët e fatit tonë, që ne jemi qenie të vetëdijshme. E përkundrazi, kjo dramë na dëshmon të kundërtën: që brenda nesh gjendet një kod i thellë shkatërrimtar, për të cilin ne, kokëfortësisht, nuk jemi të vetëdijshëm.

 

Shpërndaje në: