Sherr mes lojtarëve te Boca Juniors – U rrahën keq mes veti në zhveshtore
Plas te Boca Juniors. Veç rezultateve jo të mira, ka probleme edhe mes lojtarëve. Në sfidën e fundit përballë Racing në transfertë, që përfundoi në barazim 0-0, ka pasur edhe sherr.
Në pushimin mes pjesëve, Dario Benedetto, sulmuesi kryesor i ekipit argjentinas, ka shpërthyer ndaj shokëve të skuadrës, duke i akuzuar se po luanin dobët. Ndërkohë që të gjithë kishin ulur kokën, njëri prej tyre nuk duroi më.
Qendërmbrojtësi nga Peruja, Carlos Zambrano i është kthyer Benedettos duke e akuzuar për “thatësirë” golash, fjalë që kanë çuar në kapjen me duar mes tyre. Grushtet nuk kanë munguar, edhe pse shokët tentuan t’i ndanin.
Lojtarët zbritën në fushë në pjesën e dytë me shenja në fytyrë, teksa pamjet e përplasjes së ashpër mes tyre u bënë virale në rrjetet sociale. Drejtuesit e Boca Juniors kanë reaguar dhe kanë vendosur të pezullojnë dy sherrxhinjtë me nga dy ndeshje.