Sherr bashkëshortorë: Burri në Pejë dëbon gruan me fëmijët nga shtëpia pasi ankohet se s’ka rrogë me i mbajtë

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundmi një grua në Pejë, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktima ka deklaruar se burri i saj ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj dhe pas sherrit ka vendosur ta dëbojë nga shtëpia bashkë me fëmijët e vegjël.
Përballë kësaj situate, gruaja ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka raportuar problemin me burrin e saj, i cili sipas saj tentoi ta largojë nga shtëpia me arsyetimin se “s’ka rrogë për t’i mbajtur”.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari e ka mohuar se e ka dëbuar nga shtëpia bashkëshorten, por ka marrë vendim që të mos jetojë me të si pasojë e presionit që ai ka pretenduar se ka pasur nga viktima.
Si rezultat, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe gruaja me fëmijët u dërgua në strehimore.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.