Shërbimi Sekret amerikan qëllon një burrë gjatë natës pranë Shtëpisë së Bardhë

Shërbimi Sekret amerikan qëllon një burrë gjatë natës pranë Shtëpisë së Bardhë

Shërbimi Sekret e ka qëlluar një burrë gjatë një përballjeje të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë të dielën, raporton Fox News.

Incidenti ndodhi pak pas mesnatës, rreth një bllok larg Shtëpisë së Bardhë, në anën perëndimore të Zyrës Ekzekutive Eisenhower.

Në një deklaratë, Shërbimi Sekret tha se më herët të shtunën, policia ka ndarë informacion mbi një person me tendenca vetëvrasëse, i cili mund të ishte duke udhëtuar drejt Washington, D.C., nga Indiana.

Rreth mesnatës, pjesëtarët e Shërbimit Sekret hasën automjetin e parkuar të burrit pranë rrugëve 17th dhe F NW dhe panë një person që përputhej me përshkrimin e tij aty pranë.

“Ndërsa oficerët u afruan, individi nxori një armë zjarri dhe pasoi një përballje e armatosur, gjatë së cilës pjesëtarët tanë hapën zjarr”, tha Shërbimi Sekret në një deklaratë.

“I dyshuari u dërgua me urgjencë në një spital të zonës dhe gjendja e tij nuk dihet”.

Nuk ka pasur të lënduar nga radhët e Shërbimit Sekret.

Departamenti i Policisë Metropolitane do ta udhëheqë një hetim mbi të shtënat, pasi ata janë agjencia kryesore përgjegjëse për incidentet që përfshijnë përdorimin e forcës brenda Distriktit të Kolumbias, tha Shërbimi Sekret.

Presidenti Donald Trump nuk ndodhej në Shtëpinë e Bardhë në atë kohë.

Shpërndaje në: