Shërbimet shëndetësore që nuk ofrohen në spitalet rajonale

Shërbimet shëndetësore që nuk ofrohen në spitalet rajonale

Spitalet e përgjithshme në Kosovë nuk ofrojnë shumë shërbime mjekësore, të cilat janë të rëndësishme për pacientët. Kirurgjia abdominale, kirurgjia plastike, neurokirurgjia, stentimet e koronarografia janë vetëm disa nga shërbimet që pacientët nuk mund t’i marrin nëpër spitalet rajonale, andaj edhe referohen për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Kjo ballafaqohet me numër të madh të pacientëve, të cilët nuk mund t’i marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore në rajonet e tyre

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë për “Zërin” se në këtë spital nuk ofrohen të gjitha shërbimet mjekësore për pacientët. Sipas tij, në mungesë të disa shërbimeve pacientët referohen për në QKUK. “Ne nuk e kemi neurokirurgjinë, kirurgjinë plastike, kirurgjinë torakale e kirurgjinë abdominale. Këto janë raste që janë më të komplikuara”, ka thënë ai.

Sipas tij, as stentimet dhe koronarografia te rastet që kanë probleme me zemër nuk mund të bëhen në këtë spital. “Nga ne transferohen rastet me politrauma, rastet neurokirurgjike rastet me infarkt akut, rastet e rralla të cilat janë të komplikuara, si dhe ato raste për të cilat nuk mund të bëjmë zgjidhje në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan”, ka thënë ai.

Përveç Spitalit të Gjilanit, edhe spitalet tjera të përgjithshme kanë mungesë të disa shërbimeve mjekësore. Në mungesë të tyre shumë raste referohen për në Klinikën Emergjente në QKUK, si dhe në klinikat tjera./zeri

 

Shpërndaje në: