Shërbëtorët e qenieve imagjinare

Shërbëtorët e qenieve imagjinare

Axha i Hamletit ia kishte vrarë atij babain mbret, duke e marrë vetë kurorën, dhe njëkohshëm duke ia marrë për grua nënën, mbretëreshën. Hamleti e merr vesh një gjë të tillë nga vetë babai i tij, që i paraqitet si fantazmë. Dhe këtu merr kuptim, dilema e brendshme në të cilën ai bie: “të jesh a të mos jesh”. “Të jesh”, nuk nënkuptonte një ekzistencë të thjeshtë organike, por një ekzistencë individuale, një refuzim të detyrës shoqërore. Ai krejt në fund zgjodhi të mos ishte. Zgjodhi të kryente atë detyrë shoqërore dhe të vriste axhën e tij, mbretin Klaud. Por, kjo zgjedhje nuk ka shumë rëndësi për rastin në fjalë. Ajo që ka vlerë thelbësore është vetë dilema. Kontestimi i asaj që parashtrohet si një gjë e natyrshme dhe e paalternativë. Kur dikush të vriste babain, i cili qëllonte të ishte mbret, duhej të hakmirreshe – nuk kishte rrugë tjetër. Siç kuptojmë nga analizat që Foucault i bën asaj periudhe, mbreti trupëzohej në secilin individ të mbretërisë së tij. Njerëzit personifikoheshin me të, dhe ai vetë personifikohej me ta. Ky është shpjegimi edhe për spektaklet horroriale të vrasjeve publike të kriminelëve dhe të atyre që shkelnin rendin publik në atë vakt. Të vrisje një individ, ishte njëlloj si të vrisje vetë mbretin. Dhe anasjelltas: të vrisje mbretin, ishte njëlloj si të vrisje çdo individ të shoqërisë.

Hamleti do të ishte ‘qyqar’ po të mos rebelohej. Në fakt, ai ishte ‘qyqar’ qoftë vetëm për hezitimin e tij. Fantazma e babait nuk i paraqitet veç atij, nëse nuk keni harruar. Ajo i paraqitet fillimisht Horatit. Dhe kjo n’a bën të kuptojmë se ajo fantazmë nuk është tjetër veçse një konstruksion kolektiv, që përdoret si një armë për të përmbysur një mbret të padashur. Hamleti, si hezitues në përdorimin e asaj arme, me dramën e tij shpirtërore, është ndër simptomat e para të sëmundjes që nxorri krye me cogito-n karteziane: modernizmit e individualizmit. Ai është ndër individët e parë të historisë. Ndër të parët që e konteston atë që shpallet dhe kuptohet si e pakontestueshme. Ndërsa, besoj e dini se i vetmi personazh kryesor që shpëton nga ajo tragjedi është fantazmëshpallësi, Horati. Domethënë, e vetmja që përfiton nga e gjithë ajo punë, është vetë shoqëria e cila merr hakmarrjen e saj. Shoqëria ka qenë gjithnjë padroni, pavarësisht sistemeve politike dhe aspiratave individuale të njerëzve. Të bësh politikë, qoftë edhe të gabuar, përkthehet në ‘t’i bësh shërbim shoqërisë’.

***

Retorika e institucioneve ndërkombëtare të cilat e vendosën sistemin ekonomiko-politik në Kosovë e ka dënuar vazhdimisht korrupsionin ‘tonë’. Madje, dy ish-ambasadorët amerikanë në Kosovë, Dell dhe Jacobson, nuk mjaftoheshin me akuzimin e pushteteve politike, si të korruptuara. Për korrupsionin, ata e akuzuan gjithë shoqërinë tonë. E kështu, e mbrojtën sistemin e internacionalizmit liberal të cilin e kishin vendosur vetë. Pra, nuk kishte faj sistemi i tyre, por korrupsioni ynë.

Në fakt, retorikën kundër korrupsionit e përdorin edhe vetë qytetarët e vendit tonë – dmth të korruptuarit. Në konceptimin e korrupsionit ndryhen do gjëra të çuditshme: jo thjesht një mospërkim moral, a një shpërfillje sistemi por edhe estetikë e keqe, shëmti, ves e mosdije. Ky konceptim mund të jetë mbeturinë e kohës komuniste në Shqipëri [i importuar në Kosovë përmes letërsisë dhe filmave që prodhoheshin me shumicë atje] ku çdo lloj korrupsioni shihej si një e keqe ontologjike. Për dallim nga Jugosllavia, brenda të cilës ishim, ku kishte shumë korrupsion, si rrjedhojë e natyrshme e një rendi shumë më liberal.

Sepse po, duhet thënë që liberalizmi është i lidhur ngushtë me korrupsionin. Siç thotë Zizek me shumë të drejtë, rendi kapitalist ka arritur të bëhet më i fortë e më i fortë, pas çdo krize të madhe që ‘pësonte’. Dhe këto kriza, përfshirë edhe atë të vitit 2008, për disa prej ekonomistëve neoliberalë, ishin pasoja korrupsioni në sistem, ose thënë më saktë, pasoja të ndërhyrjes së shtetit në tregun e lirë, duke e bërë atë jo-të-lirë.

Mënyra sesi e shohim korrupsionin është fundamentalisht e gabuar. Politikanët e korruptuar nuk janë problemi. Problemi, të paktën nëse flasim për sistemin ekonomiko-politik, janë politikanët e pakorruptuar. Politikanët që ndërhyjnë në mënyrën shpesh kaotike përmes të cilës vetërregullohet tregu. Por, padroni në Kosovën tonë shëmtaraqe, është i pazë dhe i papushtet. Shoqëria kosovare nuk ka një kohezion që e mban të bashkuar organikisht. Nuk ka fe, nuk ka një moralitet të cilit i bindet, e nuk ka as një projeksion të vetëm për mënyrën sesi e sheh veten në të ardhmen. Kjo shoqëri iluzore, për më tepër, nuk e ndërtoi sistemin politik të cilit i është nënshtruar pjesërisht sot. E kështu dalim te pika e tretë e këtij opinioni.

***

Politikanët mund të korruptohen. Mund të vjedhin. Mund ta çojnë vendin në luftë. Ose, në ndonjë qorrsokak tjetër. Por, në fund të fundit ata janë shërbëtorë – ashtu siç edhe thonë kur iu duhet t’i bindin njerëzit për t’iu dhënë votën. Edhe shërbëtorët mund ta bëjnë punën keq, mund të vjedhin etj. – por në thelb janë të funksionalizuar ndaj retorikave të caktuara që mësyjnë t’i shërbejnë shoqërisë.

E shoqëritë janë mosvet të vona e të vrazhda. Mendja kolektive funksionon shumë dobët dhe është mosvet dembele. Ajo nuk i shtron kurrfarë angazhimi vetvetes. Mendon se është e përkryer. E madhe. Mosvet e aftë. Etj. Shkaku i budallallëkut dhe dembelisë së saj, thjeshtohen diskurset dhe ngushtohen kuptimet që përdoren nga politikanët. Shkaku i kësaj dembelie, shoqëritë bëjnë hapa të mosvetshëm prapa. Bien në gropa të thella ideologjike. Bien në dashuri me lloj-lloj idiotësirash. Dhe vdesin për një gjallim të trishtë në rehati.

Të kujtojmë çfarë bëri shoqëria gjermane në vitet 30 të shekullit 20. Më tej, të kujtojmë çfarë bëri Katalonja disa javë më parë. Ose Shqipëria në kohën e komunizmit, e bile edhe këto vitet e fundit ku u zhyt në drogë. Po, e vërtetë, disa gjëra vërtetë ndryshojnë në të mirë të shoqërisë. Por, siç thotë Niçja, bota nuk ndryshon nga shpikësit e britmave të reja – të cilët e mbledhin turmën – por nga shpikës të vlerave të reja, që e bëjnë punën pa zhurmë.

Dhe jo, të dashur qenie imagjinare. Nuk e bëtë namin as dje, e as para një muaji me zgjedhjet që bëtë. Nuk ka kurrfarë rëndësie kush është në krye. E madje, as çfarë do të bëjnë. E madje, as çfarë nuk do të bëjnë. Zgjedhjet e tilla janë pjesë e një skeme partiake të parëndësishme të njerëzve të parealizuar. Zgjedhje e atyre që do t’iu shërbejnë, e lëngojnë t’iu shërbejnë. Po e përsëris, mund të vjedhin e mund të bëjnë të këqija pavetëdijshëm, kjo shkaku i një boshllëku moral dhe i vetëdijes për vetes si individ, ama në fund të fundit janë të funksionalizuar si shërbëtorë. E ju, për fatin tuaj të keq, mbesni përditë përpara zgjedhjesh të ndryshme. Zgjedhjesh larg më të rëndësishme se votimet. Sepse, njësoj si me shpikjet, edhe zgjedhjet më të rëndësishme bëhen pa kurrfarë zhurme, në brendinë tuaj, dhe iu përcaktojnë vazhdimisht. Në fund të fundit, nuk do t’iu formojë Shpend Ahmeti, e nuk do t’iu formonte as Arban Abrashi. Por do të formoheshit, nëse do të dilnit ndonjëherë nga amorfiteti, vetë. Nga përditshmëria juaj. Nga ditët me shi e me diell, ku asgjë nuk ndodh në televizor, dhe ku jeni vetëm e të lirë, duke menduar për diçka. E ajo që mendoni, do të ketë më shumë vlerë se çdo fjalim i politikanëve që do të zgjedhni.

Shpendi fitoi për-pak. PDK-ja humbi shumë komuna. VV-ja i bëri tri. AAK-ja i bëri shtatë. LDK-ja fitoi më së shumti nga partitë shqiptare. Lista sërbe i fitoi dhjetë, ose më së shumti nga partitë kosovare. Arbani. Agim Bahtiri. Etj.

Mendojini seriozisht gjithë këto gjëra. Shihni sesa e kotë është ajo që e merrni pakontestueshëm për diçka të rëndësishme. Ama, mbase ju nuk doni vlera të reja. Ju doni britma të reja. Ju doni shërbime më të mira publike. Jetë pa kurrfarë shqetësimesh. Rehati. Një sistem që funksionon si ora, tik-tak. Spektakle e drama me vullnetin tuaj si qytetarë. Një sistem pa asnjë lëvizje. Nuk doni asnjë formë korrupsioni. Doni të bëheni pjesë e një sistemi, i cili do t’iu formojë. Meqë, vetë nuk e keni atë mundësi. Meqë, në hapësirat që iu duhet t’i mbushni me frymë, keni frikë të shkelni.

Ju jeni veç një iluzion. Meqë keni frikë, shumë frikë, të merrni frymë e të përballeni me përmasën e vogël fizike që e keni si individ. Shkaku i kësaj frike nga përhumbja në universin e pamatë, e krijuat një nënqiell të vogël teknik, që nuk funksionon mirë, e që iu mban ngrohtë me iluzione.

O ju që nuk besoni në asgjë, gëzuar shërbëtorët!

Shpërndaje në: