Shënon rritje numri i vajzave të prekura me kancer të qafës së mitrës

Shënon rritje numri i vajzave të prekura me kancer të qafës së mitrës

Vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës ka kohë që ka filluar të ofrohet edhe në vendin tonë.

Por, raste të tilla po shënojnë rritje.

Vetëm gjatë këtij viit, në periudhën kohore janar-tetor numri i të prekurave ka shkuar me një përqindje 5 deri në 7%, më shumë në krahasim me vitin e kaluar.

Kështu e bënë të ditur drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

“Vitin e kaluar kanë qenë me kancer të mitrës 99 dhe 80 me kancer të qafës se mitrës, ndërsa për këto 10 muaj të këtij viti ky numër është për 5 -7 % me i lartë se vitin e kaluar, sipas të dhënave që jemi duke i grumbullu në kancer regjistrin klinik të Klinikës”, deklaroi ai.

E për këtë vit nga Ministria e Shëndetësisë janë siguruar plotë 17 mijë doza të vaksinës HPV.

 

“Për këtë vit, nga Ministria e Shëndetësisë janë siguruar 17,000 doza të vaksinës HPV”,njoftuan MSH-ja në një përgjigje dhënë për Gazetën Blic.

Marrjen e kësaj vaksine hap të rëndësishëm e sheh edhe gjinekologu Driton Prenaj, që sipas tij kjo vaksinë ndihmon në parandalimin e infeksioneve nga llojet më të rrezikshme të virusit.

“Vaksinimi kundër HPV (Human Papillomavirus) është një hap thelbësor për parandalimin e sëmundjeve të shkaktuara nga ky virus, duke përfshirë disa lloje të kancerit dhe lezioneve prekanceroze. HPV është përgjegjës për shumicën e rasteve të kancerit të qafës së mitrës, si dhe mund të shkaktojë kancere të tjera, si ato të fytit, vaginës, penisit dhe anusit. Vaksina HPV ndihmon në parandalimin e infeksioneve nga llojet më të rrezikshme të virusit, që janë shkaktarë kryesorë të këtyre sëmundjeve”, u shpreh ai.

Gjinekologu tregon anën përfituese të vaksinës kundër këtij kanceri.

“Përfitimet kryesore të vaksinimit kundër HPV

Parandalimi i Kancerit të Qafës së Mitrës: Vaksina HPV mbron nga llojet e virusit që shkaktojnë rreth 70-90% të rasteve të kancerit të qafës së mitrës. Parandalimi i infeksionit HPV në moshë të hershme redukton dukshëm rrezikun e zhvillimit të kancerit në të ardhmen.

Mbrojtje nga Lezionet Prekanceroze: HPV shkakton shpesh lezione prekanceroze, të cilat mund të zhvillohen në kancer nëse nuk trajtohen. Vaksinimi mund të parandalojë shumicën e këtyre lezioneve, duke ulur nevojën për trajtime të mëvonshme invazive (operacion)

Përfitime të Shëndetit Publik: Duke reduktuar infeksionet me HPV në popullatë, vaksinimi ndihmon në uljen e përhapjes së virusit dhe mbrojtjen e atyre që nuk janë të vaksinuar. Kjo kontribuon në një shëndet më të mirë për të gjithë komunitetin.

Mbrojtje për Burrat dhe Gratë: Edhe pse kanceri i qafës së mitrës është ndër efektet më të njohura, HPV ndikon në të dy gjinitë, duke shkaktuar kancere dhe lezione të ndryshme. Vaksinimi rekomandohet për të dy gjinitë për të maksimizuar mbrojtjen ndaj sëmundjeve të lidhura me HPV.

Efikasitet i Lartë dhe Siguri e Vërtetuar: Studimet kanë treguar se vaksina HPV është shumë efektive dhe e sigurt për përdorim. Ajo është miratuar nga organizata shëndetësore globale si një nga mënyrat më të sigurta dhe më të efektshme për të parandaluar kanceret e lidhura me HPV.

Për të përfituar maksimalisht, vaksinimi rekomandohet të bëhet në moshë të hershme, zakonisht për fëmijët dhe adoleshentët, por gjithashtu është i dobishëm edhe për të rriturit që nuk janë vaksinuar më parë”, tha ndër të tjera për Gazetën Blic.

Megjithatë, gjatë këtij viti në vendin tonë vaksinimi kundër qafës së mitrës ka hyrë në kalendarin e vaksinave të rregullta për vajzat e moshës 12 vjeçare.

 

Shpërndaje në: