Shënohet sot Dita Botërore e Hemofilisë

Shënohet sot Dita Botërore e Hemofilisë

Dita Botërore e Hemofilisë është një kremtim ndërkombëtar që mbahet më 17 prill nga Federata Botërore e hemofilisë.

Kjo është një ditë ndërgjegjësimi për hemofilinë dhe çrregullime të tjera të gjakut, që gjithashtu shërben për të mbledhur fonde dhe për të tërhequr vullnetarë. Dita Botërore e Hemofilisë filloi në vitin 1989 dhe mbahet çdo vit; më 17 prill, në nder të ditëlindjes së Frank Schnabel, themeluesit të Federatës Botërore të hemofilisë në vitin 1963.

Hemofilia është një grup i çrregullimeve gjenetike të trashëguara, që dëmtojnë aftësinë e trupit për të kontrolluar koagulimin e gjakut, i cili shërben për të ndaluar gjakderdhjen kur dëmtohet një enë gjaku. Hemofilikët (njerëzit me hemofili) kanë nivele të ulëta të faktorit të koagulimit në gjak dhe gjakderdhja vazhdon për periudha shumë më të gjatë.

Ka dy lloje të hemofilisë. Hemofilia A është më e shpeshtë dhe lidhet me nivele të ulëta të faktorit VIII të koagulimit (8). Hemofilia B është më e rrallë dhe lidhet me nivele të ulëta të faktorit IX të koagulimit (9). Hemofilia diagnostikohet duke marrë një mostër të gjakut dhe duke testuar nivelit e faktorit VIII dhe faktorit IX të koagulimit.

Hemofili A është forma më e zakonshme e sëmundjes, e pranishme 1 në 5,000 – 10,000 meshkuj dhe Hemofili B e pranishme 1 në 20,000 – 34,000 meshkuj të lindur me këtë sëmundje.

Çdo lloj i hemofilisë shkakton gjakderdhje të zgjatur e cila është simptoma kryesore e hemofilisë. Gjakderdhjet mund të jenë të lehta deri në të rënda. Gjakderdhje shpesh është e brendshme, por në disa raste gjakderdhja mund të jetë dhe e jashtme.

Nëse nuk trajtohen, rastet të rënda të hemofilisë mund të çojnë në vdekje. Megjithatë, në ditët e sotshme ekzistojnë trajtime të suksesshme që menaxhojnë sëmundjen dhe mundësojnë që njerëzit me hemofili të jetojnë një jetë të plotë dhe të shëndetshme. Trajtimet e hemofilisë përfshijnë injektimin e faktorit të koagulimit që mungon në gjak.

Për fat të keq, ka shumë njerëz në botë, që marrin trajtim të dobët ose nuk marrin aspak trajtim për hemofilinë dhe çrregullime të lidhura me gjakderdhjen. Sipas Federatës Botërore të hemofilisë, rreth 1 në çdo 1000 persona ka një çrregullim në gjak; si dhe shumë janë të sëmurë dhe nuk trajtohen. Qëllimi i Ditës Botërore të Hemofilisë është për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me hemofilinë dhe për të rritur mundësinë e trajtimeve për këtë sëmundje në mbarë botën.

Shpërndaje në: