Shembet ndërtesa në Stamboll – një i vdekur, tetë të lënduar

Shembet ndërtesa në Stamboll – një i vdekur, tetë të lënduar

Një ndërtesë apartamentesh është shembur sot në Stamboll.

Si pasojë, ka vdekur një person, dhe janë lënduar tetë të tjerë, thanë autoritetet.

Kjo shembje ringjalli frikën për qëndrueshmërinë e ndërtesave në këtë qytet, i cili njihet për tërmete, shkruan AP.

Imazhet televizive treguan zjarrfikësit që zhvendosnin rrënojat me dorë nga ndërtesa pesëkatëshe e rrafshuar në Kuçukçekmece, në anën evropiane të qytetit.

Shtatë persona u nxorën fillimisht nga rrënojat, duke përfshirë dy të cilët u plagosën rëndë, tha guvernatori i Stambollit Davut Gul ndërsa vizitoi vendin e ngjarjes.

Ai tha se struktura 36-vjeçare u shemb në orën 8:40 të mëngjesit.

Shkaku nuk ishte i qartë, por nuk kishte asnjë shenjë shpërthimi apo aktiviteti sizmik.

Si banesa përdoreshin vetëm dy katet e fundit, ndërsa pjesa tjetër e ndërtesës ishte e zënë nga bizneset.

Pamjet nga një kamerë matanë rrugës treguan pasagjerët që prisnin të hipnin në një minibus publik në momentin e shembjes, duke i shpëtuar mezi goditjes nga mbeturinat që binin.

 

Shpërndaje në: