Shefi i EULEX-it i shkon Kurtit në zyrë, Barbano: Rikonfirmova mbështetjen në rrugën drejt BE-së

Shefi i EULEX-it i shkon Kurtit në zyrë, Barbano: Rikonfirmova mbështetjen në rrugën drejt BE-së

Kryeministri Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, e kanë pritur sot në takim shefin e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, Giovanni Pietro Barbano.

Në një komunikatë për media, EULEX njofton se gjatë takimit, Barbano ka rikonfirmuar ndaj Kosovës.

“Në një diskutim imponues dhe të gjerë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, rikonfirmova përkushtimin e EULEX-it për të mbështetur🇽🇰Institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit në rrugën e tyre drejt BE-së përmes monitorimit të saj të fuqishëm, si dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve si🇽🇰Reagues i dytë i sigurisë.”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, në komunikatën e Qeverisë, thuhet se Kurti ka vlerësuar marrëdhëniet me misionin evropian, si reagues i dytë i sigurisë në vend e në këtë prizëm veçanërisht edhe atë në raport me bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.

I pari i ekzekutivit theksoi dhe gatishmërinë e vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në fushat si ajo e forenzikës përmes Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“U diskutua edhe çështja e lajmeve të rreme dhe dezinformimit e cila u konsiderua si tejet shqetësuese”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Më tej, u nënvizua se incidentet ndëretnike janë gjithnjë e në rënie të dukshme, në veçanti gjatë këtij mandati qeverisës.

Të dy palët mbeten të përkushtuara në gjithëpërfshirjen e të gjitha komuniteteve dhe harmonisë sa më të gjerë ndëretnike.

Kryeministri Kurti e falënderoi shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, për takimin duke shprehur rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit.

Shpërndaje në: