Shea: Pres që masat e BE-së kundër Kosovës të hiqen këtë vjeshtë me kusht që të ketë qetësi në veri

Shea: Pres që masat e BE-së kundër Kosovës të hiqen këtë vjeshtë me kusht që të ketë qetësi në veri

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka komentuar situatën politike në vend dhe raportet aktuale mes Kosovës e Bashkimit Europian derisa kryeministri Albin Kurti qëndroi në Bruksel këtë javë.

Ai tha se Kurti ndoqi këshillën e BE-së për të mos e hapur Urën e Ibrit për qarkullim të veturave dhe thotë që pasi udhëheqja e re e bllokut të vihet në vend, masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë. Këtu ai e lidhi edhe me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

“Kryeministri Kurti është në Bruksel këtë javë që sigurisht mund të lobojë që masat e BE-së të hiqen. Ai ka ndjekur këshillën e BE-së për të mos rihapur urën e Mitrovicës për trafik. Por lidershipi i ri i BE-së nuk ka marrë ende detyrën pas zgjedhjeve të Parlamentit të BE-së qershorin e kaluar. Komisioni i ri u emërua vetëm sot. Dialogu Beograd-Prishtinë duhet të rifillojë së shpejti. Kështu që pres që masat e BE-së kundër Kosovës të hiqen më vonë këtë vjeshtë me kusht që të ketë një periudhë qetësie në veri dhe që Prishtina të bëjë përpjekje për të riintegruar serbët në polici, gjyqësor dhe administratën lokale. Vuçiq ka bërë thirrje që kjo të ndodhë dhe do të jetë një provë për të që të punojë në mënyrë konstruktive për të ndihmuar në zbatimin e saj”, tha dje ai për mediumin publik.

Tutje, Shea ka folur edhe për ndikimin që mund të kenë zgjedhjet në ShBA, si në rajon e po ashtu edhe mbi dialogun Kosovë-Serbi.

Administrata e mëparshme e Trump ka punuar gjithashtu për të përmirësuar marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës. Trump madje priti një samit në Shtëpinë e Bardhë dhe emëroi një të dërguar special në rajon. Trump krenohet me aftësinë e tij për të vepruar si paqebërës. Pra, nëse ai fiton në SHBA në nëntor, pres që ai të mbetet i angazhuar me Kosovën. Nëse Harris fiton, pres që mbështetja e dhënë nga administrata Biden për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe për mbështetjen e sigurisë së Kosovës dhe integrimin eventual transatlantik do të vazhdojë. Pra, në përgjithësi, nuk besoj se SHBA-të do të jenë më pak të angazhuara”, ka deklaruar ai.

Shpërndaje në: