SHBA vendos sanksionet më të ashpra ndaj naftës dhe gazit rus

SHBA vendos sanksionet më të ashpra ndaj naftës dhe gazit rus

Shtetet e Bashkuara vendosën sot sanksionet më të ashpra dhe gjithëpërfshirëse deri tani ndaj industrisë ruse të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm, sipas njoftimeve të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit amerikan të Thesarit.

Ky vendim synon t’i reduktojë të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe gazi, të cilat financojnë luftën ndaj Ukrainës.

Masat e së premtes janë “sanksionet më të rëndësishme deri më tani kundër sektorit rus të energjisë, që njëkohësisht është edhe burimi më i madh i të ardhurave për makinerinë e luftës së Kremlinit”, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Departamenti i Thesarit vendosi sanksione ndaj dy kompanive ruse Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, të cilat eksplorojnë, prodhojnë dhe shesin naftë dhe 183 cisterna që bartin naftën ruse, shumë prej të cilave janë pjesë e të ashtuquajturave flota në hije, që operohen nga kompanitë joperëndimore. Ato përfshijnë edhe rrjete që tregtojnë karburante.

Shumë prej tyre janë përdorur për të dërguar naftën në Indi dhe Kinë.

Në mesin e kompanive të përcaktuara në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara është edhe Industria e Naftës së Serbisë, e radhitur në listën e entiteteve që janë nënkontraktuese të Gazprom Neftit në Serbi. Kjo kompani ruse, krahas kompanisë mëmë Gazprom, aktualisht zotërojnë rreth 56 për qind të aksioneve të NIS-it.

Arsyetimi prapa sanksioneve është “të godasë secilën pjesë të zinxhirit të prodhimit dhe të shpërndarjes ruse”, sipas zyrtarit amerikan. Nëse këto sanksione zbatohen, sipas tij, ato do t’i kushtojnë Rusisë miliarda dollarë në muaj.

Në mesin e entiteteve të përcaktuara janë edhe disa drejtues të lartë të industrisë ruse të naftës.

“Nuk ka mbetur asnjë pjesë e zinxhirit të prodhimit dhe të shpërndarrjes që është i paprekur dhe jemi të bindur se shmangia e tyre do t’i kushtojë Rusisë edhe më shumë”, deklaroi zyrtari amerikan.

Sanksionet janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë ndërkohë që administrata e Presidentit Biden pajisi Ukrainën me rreth 64 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga sulmi i Rusisë.

“Ne presim që goditja e drejtpërdrejtë ndaj sektori të energjisë do të shtojë trysninë ndaj ekonomisë ruse që po përballet me një inflacion prej gati 10 për qind dhe që jep një parashikim të zymtë ekonomik për vitin 2025 dhe në të ardhmen”, sipas një zyrtari të administratës amerikane.

Sipas zyrtarëve amerikanë, këshilltarët e Presidentit Biden i kanë njoftuar këshilltarët e zotit Trump për sanksionet. Por, zyrtari i administratës së Presidentit Biden tha se do të varet “plotësisht” nga zoti Trump se kur dhe si do të mund t’i shfuqizojë sanksionet e vendosura gjatë mandatit të zotit Biden.

Ndihma ushtarake dhe sanksionet “i japin administratës së ardhshme dhe Ukrainës një instrument të konsiderueshëm ndikimi për të ndërmjetësuar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, deklaruan zyrtarët amerikanë./voa

Shpërndaje në: