ShBA – UNMIK-ut rreth raportimit për situatën në Kosovë: Të ruajë neutralitetin në raportet e ardhshme
Ambasadori Robert Wood, përfaqësues alternativ për Çështje të Posaçme Politike i SHBA-së në Këshill të Sigurimit të OKB-së, gjatë diskutimit të raportit për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përveçse kërkoi shuarjen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, ai vërejtje pati edhe për raportin.
SHBA i bëri thirrje UNMIK-ut që të ruajë neutralitetin në raportet e ardhshme.
“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje UNMIK-ut, në raportimin e ardhshëm, të mbajë një pikëpamje neutrale, për të pasqyruar më mirë paanshmërinë e UNMIK-ut”.
Ai në fillim të fjalimit tha se SHBA vlerëson përpjekjet UNMIK ka bërë në avancimin e dialogut ndëretnik dhe reformës së sundimit të ligjit në Kosovë, por tha se ka agjenci të tjera të OKB-së në Kosovë që e bëjnë këtë punë në mënyrë më të përshtatshme.
“Ne jemi të detyruar të pranojmë gjithashtu se ka agjenci të tjera rezidente të OKB-së në Kosovë që po e bëjnë këtë lloj pune në mënyrë më të përshtatshme. Pas një çerek shekulli, UNMIK-u e ka tejkaluar mandatin e tij origjinal dhe Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Këshillit të rishikojë UNMIK-un në Kosovë dhe të punojë drejt perëndimit [shuarjes] të tij eventual”.
Wood gjithashtu tha se ka kërkesa shumë më të mëdha të kohës për Këshillin e Sigurimit, “siç e dimë të gjithë”, dhe tha se këto informime për Kosovën duhet të reduktohen në takime vjetore private.
SHBA ka kritikuar Serbinë për mosmbajtjen në përgjegjësi të atyre që u përfshinë në sulmin terrorist të Banjskës.
“Kanë kaluar më shumë se një vit që nga sulmi paraushtarak serb në stacionin e Policisë së Kosovës pranë Manastirit Banjska në veri të Kosovës dhe Serbia nuk ka bërë asnjë progres domethënës në mbajtjen përgjegjës të personave që morën pjesë, duke përfshirë liderin e vetëshpallur të sulmit, Milan Radoiçiq. Ne kërkojmë llogaridhënie të plotë në përputhje me sundimin e ligjit”, tha ai.
Po ashtu, pa kritika nuk shpëtoi as Kosova.
“Ne mbetemi gjithashtu të shqetësuar për veprimet e pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat nuk janë në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Këto veprime ndikojnë në mirëqenien e komuniteteve të cenueshme dhe joshumicë dhe minojnë rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Shtetet e Bashkuara, tha Wood, ndajnë aspiratën e njerëzve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, për të ndërtuar një integrim më të madh ekonomik rajonal, për të nxitur stabilitetin rajonal, demokracinë dhe shoqëritë multietnike dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është rruga e rënë dakord për normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe përparimin drejt anëtarësimit në institucionet evropiane”.
Wood tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me BE-në, OSBE-në dhe partnerët e NATO-s për “të mbajtur tensionet e ulëta në veri të Kosovës; për të penguar masat përshkallëzuese nga secila palë; dhe shtyrjen përpara në zbatimin e të gjitha angazhimeve të dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne paralajmërojmë të dyja palët kundër veprimeve të pakoordinuara ose përshkallëzuese dhe i nxisim që të zgjidhin çështjet brenda kornizës së dialogut”.
“Qëllimi përfundimtar i Shteteve të Bashkuara mbetet njohja eventuale e ndërsjellë”, përfundoi ai.