SHBA-ja kërkon ekstradimin e 33-vjeçarit nga Gjilani, i dyshuar për krime online
Liridon Masurica, 33-vjeçar nga Gjilani, përballet me një aktakuzë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një njoftimi nga Zyra e Prokurorit në Qarkun e Mesëm të Floridës.
Ai akuzohet se drejton tregun kriminal online “BlackDB.cc”, i cili dyshohet se ka funksionuar si një platformë për shitjen e informacionit të komprometuar, përfshirë kredenciale llogarish, të dhëna të kartave të kreditit dhe informacione të tjera të ndjeshme personale.
Masurica u arrestua në Gjilan me ndihmën e Drejtorisë së Hetimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës, ndërsa Shtetet e Bashkuara po ndjekin procedurat për ekstradimin e tij bazuar në marrëveshjen bilaterale të ekstradimit mes Kosovës dhe SHBA-së.
Masurica përballet me një akuzë për komplot për të kryer mashtrim me pajisje qasjeje dhe pesë akuza të përdorimit të pajisjeve të paautorizuara për mashtrim.
Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai mund të përballet me një dënim maksimal prej 55 vitesh burg.
Sipas prokurorisë, “BlackDB.cc” ka funksionuar nga viti 2018 dhe ka ofruar për shitje informacione të ndjeshme të individëve, kryesisht në SHBA, që janë përdorur më pas nga kriminelët kibernetikë për aktivitete si mashtrime tatimore, mashtrime me karta krediti dhe vjedhje identiteti.
Ky rast është rezultat i një hetimi të koordinuar mes FBI-së dhe autoriteteve kosovare, me mbështetje ndërkombëtare nga zyra e FBI-së në Sofje dhe Departamenti i Drejtësisë në SHBA.
Masurica mbetet i pafajshëm derisa të provohet fajësia e tij në një proces gjyqësor.
Aksioni në Gjilan, Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregon se kush është i arrestuari