SHBA akuzon kompaninë “Huawei” për mashtrime bankare dhe vjedhje të teknologjisë
Ministria e drejtësisë së ShBA ka ngritur aktakuzë kundër gjigantit teknologjik kinez Huawei dhe drejtoreshës financiare të kësaj kompanie, Meng Wanzhou.
Ndërkaq, “Huawei” sot në mëngjes i ka hedhur poshtë akuzat, duke mohuar vjedhjen e teknologjisë dhe shkeljen e sanksioneve kundër Iranit, transmeton Insajderi.
“Kompania mohon se ka kryer shkeljet e pretenduara të ligjeve të SHBA… dhe nuk është në dijeni se zonja Meng ka kryer çfarëdo parregullsie, si dhe është e bindur se edhe gjykatat amerikane do të vijnë në përfundim të njëjtë”, është thënë në kompani.
Akuzat kanë të bëjnë në mashtrime bankare, pengim të drejtësisë dhe vjedhje të teknologjisë. Aktakuza i ka 13 pika.
Arrestimi i Meng, vajzës së themeluesit të gjigantit kinez, në aeroportin e Vankuverit më 1 dhjetor 2018 i ka çrregulluar seriozisht marrëdhëniet e Kanadasë me Kinën. /Periskopi/