Shatrolli: Shfaqja “Muhamed Ali”, një model i ri teatror

Shatrolli: Shfaqja “Muhamed Ali”, një model i ri teatror

Publiku ishte rehatuar në ulëse kurse në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, reflektori ndriçonte vetëm Muhamedin, personazhin e shfaqjes “Muhamed Ali”, i cili erdhi nga loja e aktorit Ermal Sadiku. Ai i bie rreth e rrotull skenës me biçikletën e tij, gjersa në prapaskenë dëgjohet njoftimi për anulimin e flurimeve në Aeroportin Ndërkombëtarë të Kosovës “Adem Jasharin” për shkak të kushteve atmosferike, duke sjellë kështu fillimin e premierës së shfaqjes.

Muhamedi dëshiron që të largohet të marrë fluturimin e radhës mirëpo i gjendur në këtë pritje ai fillon një mision të ri, zbulim e identitet të tij, duke filluar kështu që të marrë njerëzit në pyetje për orientimet e tyre. Mirëpo, në mungesë të përgjigjeve ai fillon të tregoj historitë e njerëzve më të cilët është rritur. Fillon nga artisti i urës së Ibrit që i ka mësuar anglisht, i cili nga një njeri i dashur kthehesh në një njeri të ftohtë. Pastaj tek shitësi në pazar i cili gjatë luftës kishte luftuar për të mbrojtur atdheun e tij duke humbur kështu njërin sy në luftë. E pas luftës kthehet përsëri në shitës duke mos përfituar si “trimat” e tjerë. Historia vazhdon tutje me trimat e qytetin që nuk i nguc askush, të vajzave shqiptare që martohen me serbët, dhe temat e ndryshme që kanë lënë gjurmë në jetën e Muhamedit i cili kërkon të dijë se kush është.

Kjo ishte shfaqja “Muhamet Ali” të cilën regjisori Naser Shatrolli e solli mbrëmë premierë para publikut kryeqytetas në Teatrin Kombëtarë të Kosovës.

Për kritikun Besim Rexha shfaqja shqyhet me dy komponentë, me atë psikologjik por edhe me atë social të cilët vijnë përmes tentativës së personazhit për të gjetur vetveten.

“Kjo është drama e një djaloshi i cili i përfshirë nga pyetjet lidhur më atë se çka është, kush është, nga vjen e si është rritur, artikulon dramën e cila praktikisht në kuptimin psikologjik burimet i ka në fillimin e tij të hershëm, në fëmijërinë e tij të traumatizuar e cila e përcjell djaloshin edhe në realitetin e tij të tashëm. Kurse ai duke u përpjekur që ta gjejë vetveten, gjen kështu burimet e realitetit të dhimbshëm të së tashmes në historinë e formimit të tij të traumatizuar për shkak të zakonit, rrethanave të caktuara të rritjes dhe zhvillimit të tij, qe e kanë bërë të ndodhet para dilemave të mëdha ekzistenciale në kuptimin e orientimit dhe zhvillimit të rrugës dhe fatit të tij jetësor”, u shpreh Besim Rexha për KultPlus.


“Ti s’vyn kurgjo hiq” është fjala që Muhamedi, e dëgjon nga njerëzit. Ai i rritur në një familje ku problemet në mes të prindërve nuk kishin të ndalur, mundohet gjatë tërë kohës të dëshmojë që është rritur, që është bërë i fortë, që është bërë burrë, mirëpo as kështu nuk e fiton dashurinë e babit të tij, i cili pastaj largohet edhe nga shtëpia. Gjersa në mungesë të babës ai nuk e vlerëson as dashurinë e nënës dhe as kujdesin e saj duke bërë që edhe ajo të largohet kurse ai vetë fillon të marrë substanca narkotike.
Sipas aktorit Ermal Sadiku i cili ishte në rolin e Muhamedit, problemi kryesor i personazhit ishte vetmia dhe mungesa që për problemet e tij të flas më dikë.

“Muhameti është një djalë i ri që në moshën e re i ikë babai prej shtëpisë, në ndërkohë ka edhe probleme me vetën, është adoleshenca, shoqëria, dhe kështu ai në një mënyrë gjatë kësaj kohë përballet me disa situata derisa i largohet edhe nëna dhe ai mbetet vetë. I gjendur në këtë situatë ai nuk ka se më kënd të shprehet, dhe duke pasur nevojë që të flasë për jetën e tij ai në një formë fillon të flas me publikun”, tha aktori duke përshkruar personazhin e tij i cili pastaj fillon që të kërkoj jo vetëm të atin por edhe nënën e cila edhe pse largohet vazhdon që ti shkruaj djalit të saj.

Mirëpo sipas Sadikut ky rol nuk e ka për qëllim që të shfaqë vetëm jetën e Muhamedit mirëpo edhe të tërheqë vëmendje mbi çështje të tjera sociale.

“Askush nuk mundë të hyjë në këpucë të dikujt tjetër dhe është shumë e vështirë të dihet se çfarë mendon një njeri, është shumë vështirë t’i pyesësh njerëzit për problemet e tyre, dhe është shumë vështirë që njerëzit të tregojnë çfarë kanë dhe me cilat probleme po ballafaqohen, andaj mendoj që njerëzit kanë nevojë që të flasin me të tjerët mirëpo jo të gjykohen nga të tjerët, e sidomos sot kur njerëzit janë bërë shumë paragjykues, edhe ku njerëzit kërkojnë vetëm vëmendje”, u shpreh Sadiku duke kërkuar që njerëzit të mos i gjykojnë të tjerët pasi që edhe personazhi Muhamed, i krijuar nga regjisori Naser Shatrolli përballej me gjykime.
Skena ndryshonte vazhdimit, në të publiku shihte fotografinë e Bekim Fehmiut, Nënë Terezës, Muhametin, biçikletën e tij e cila bëhej aeroplan , kinema, dritare, madje edhe e dashura e Muhamedit me të cilën ai vallëzoi duke realizuar koreografinë e Fatmir Smanit, madje në skenë ra edhe borë duke sjellë kështu një model të ri teatror te publiku.

Kurse regjisori i shfaqjes “Muhamed Ali”, Naser Shatrolli, po shpreson që ky model i ri teatror të pranohet nga publiku pasi që është diçka shumë e veçantë për të.

“Kam akoma emocione edhe pas përfundimit të shfaqjes pasi që unë nuk kam shumë shfaqje por kjo është ndoshta shfaqja që për mua ka qenë më sfiduesja dhe më e rrezikshmja në kuptimin e asaj se çfarë kam dashur që të trajtojë. Shpresoj që ky model i ri teatror të pranohet nga publiku pasi që unë tentojë ta kem një model timin, brenda kësaj që ndodhë çdo gjë të dal prej gjakut tim, prej damarëve të mi, kështu që e vërejta që publiku ishte brenda gjithë dramës dhe rrjedhës andaj jam shumë i kënaqur”, u shpreh regjisori për KultPlus, duke vazhduar të falënderoj të gjithë ata që i kanë ndihmuar në realizimin e kësaj shfaqje e cila nuk ka pasur asnjë mbështetje financiare.

Repriza e kësaj shfaqje do të jetë sonte në Teatrin Kombëtarë të Kosovës duke filluar nga ora 20:00, për të vazhduar pastaj nëpër teatrot e tjera brenda dhe jashtë Kosovës. A.H / KultPlus.com

 

Shpërndaje në: