Shaqiri, ‘xherdani’ i Liverpoolit

Periskopi.com Sporti

Është e drejtë të thuhet se Xherdan Shaqiri ka tejkaluar pritjet e shumicës së njerëzve pas transferimit të tij prej 13.5 milionë funtash në Liverpool nga Stoke City në verë.

Zviceriani u quajt ‘joprofesional’ dhe ‘i turpshëm’ nga ish-lojtarët e Manchester United Gary dhe Phil Neville gjatë finaleve të Kupës së Botës në Rusi, pasi sipas tyre ai nuk ishte në gjendje të mbante Stoke Cityn në Ligë sezonin e kaluar, shkruan Periskopi.

Për më tepër, edhe ish-bashkëlojtari i tij te Stoke, Charlie Adam pati kritikuar ashpër Xherdanin, megjithatë i kishte rënë pishman vetëm pas pak kohe.

Related image

Megjithatë, Jurgen Klopp e kishte të qartë se Shaqiri do të përmirësonte skuadrën e tij – dhe kjo i kaloi edhe pritshmërite e trajnerit gjerman.

Tashmë ylli i Zvicrës është një ‘xherdan’ i shtuar në koleksionin e ‘Të Kuqëve’, për të mos thënë është ‘jokeri’ i ekipit.

Shaqiri herë luan si sulmues e herë si mesfushor, por paraqitjet janë të njëjta – mbresëlënëse.

Ai mbrëmë ndaj Burnley luajti 90 minuta dhe shënoi golin e tretë me fanelen e Liverpool. Në bazë të statistikave, 26-vjeçari ka startuar vetëm gjashtë herë në Premier League, ku përveç tre golave, ka asistuar dy herë, që i bie se ai ka qenë i përfshirë në gol çdo 106 minuta.

Image result for xherdan shaqiri liverpool

Shumica ishin skeptik për kalimin e tij në Anfield, duke pasur parasysh aventurat e mëhershme të tij me skuadrat e mëdha.

Me Bayernin nën regjimin e Pep Guardiolas, futbollisti nga Zhegra nuk është që pati një sukses të madh, duke luajtur shumë pak e për më tepër duke mos kontribuar në golat e skuadrës.

Shaqa kaloi edhe në Inter, ndoshta në epokën më të keqe në historinë e ‘Zikaltërve’, duke bërë që talenti i tij të mos vihej në pah.

Në Stoke City ai ishte lojtari kryesor, por problemi ishte pjesa tjetër e skuadrës.

Momente kthese në karrierën e Xherdan Shaqirit është sigurisht Kampionati Botëror në Rusi, ku Zvicra u eliminua nga Suedia, por megjithatë ‘Shqiponja e Penduar’ shkëlqeu gjatë këtij turneu.

Liverpool më pas e transferoi, ndërsa tani në krahasim me transferimet e tjera të verës si Fabinho e Naby Keita, lirisht mund të thuhet se blerja e Shaqirit ka qenë më e mira për drejtuesit e ‘Reds’.

Tani shpresojmë që përformancat e tij të shpërblehen edhe me ndonjë trofe individual apo ekipor, me ekipin e Liverpool që është duke e ndjekur hap pas hapi liderin Manchester City. /Periskopi

Shpërndaje në: