Shamia në shkolla, Kodi Civil: Top 4 nyjet mbi tavolinën e Kurtit, për të cilat po rritet presioni politik e popullor

Shamia në shkolla, Kodi Civil: Top 4 nyjet mbi tavolinën e Kurtit, për të cilat po rritet presioni politik e popullor

Kryeministri Albin Kurti, ditëve të fundit po përballet me presion e kërkesa politike dhe popullore. Nëse nuk i përmendim problemet ekonomike, rritjen e çmimeve, paralajmërimin për rritje të sërishme të çmimit të rrymës, problemet me Sindikatat, janë disa çështje tjera të pazgjidhura, presioni për të cilat, po rritet nga dita në ditë.

Diskutimi i Asociacionit dhe zbatimi i marrëveshjes me Serbinë për këtë punë, Manastiri i Deçanit, janë ndër ato kërkesa politike që nuk janë të reja, por rifreskohen vazhdimisht si kërkesa – sidomos nga faktori ndërkombëtar.

Kësaj, iu shtua edhe Kodi Civil, i cili nuk ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, shkaku i nenit për martesat e seksit të njëjtë dhe vazhdon të rrijë pezull – pa miratim. Edhe për Kodin Civil, ka zhgënjim dhe thirrje nga bashkësia ndërkombëtare e poashtu edhe nga aktivistë të shoqërisë civile, media e gazetarë. E së fundmi, edhe kërkesa për shamitë në shkolla. 

1.ASOCIACIONI: Tash e 9 vjet mbetet një nga temat më të përfolura në Kosovë. Ani pse pas 9 vitesh çdo ditë e më shumë ekspontet të fuqishëm të politikës ndërkombëtare, po kërkojnë që Kosova ta zbatoj marrëveshjen e 2013-ës e cila u negociua edhe në vitin 2015.

Një nga ta është edhe përfaqësuesi BE-së për Politikë të Jashtem dhe Siguri, Jose Borrell. Ai ka kërkuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa vonesë. Kjo, pasi që, sipas tij një marrëveshje e këtillë është arritur më 2013-ën në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe.

Ai këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një letre që ia ka dërguar një eurodeputeti në emër të Komisionit Evropian.

“BE-ja vazhdimisht u ka kujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë me shpejtësi dhe plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit, pa vonesa të mëtejshme. Themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe është rënë dakord nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës dhe Kosova duhet ta përmbushë obligimin e saj ligjor dhe ta zbatojë atë pa vonesa”, thuhet ndër të tjera në letër.

Së fundi, kryeministri Kurti ka filluar të përmend fjalën “luftë”, pas tensioneve në veriun e Kosovës. E këto deklarata të Kurtit, po vlerësohen si përgatitje të popullir për themelimin e Asociaionit.

2.MANASTIRI I DEÇANIT: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtë Manastirit të Deçanit për tokat rreth këtij objekti të kultit, vazhdimisht po përmendet nga bashkësia ndërkombëtare. SHBA-të dhe BE ndajnë të njëjtin mendim në lidhje me këtë çështje. Ata vazhdojnë të insistojnë për zbatimin e vendimit të Kushtetueses.

Madje, tema e Manastirit të Deçanit u përmend edhe në takimin e kryeministrit Albin Kurti e presidentes Vjosa Osmani me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, ku ka shtruar në kontekstin që gjithnjë është dëgjuar edhe më herë nga ana e palës amerikane – në kontekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Kurti, në shkurt u pyet për presionin ndërkombëtarë rreth kësaj çështje, ku i njëjti tha se vedime të tilla duhet të respektohen, porse pretendon se Kushtestuesja është ngutur me këtë vendim.

‘’Vendimet e gjykatës kushtetuese duhet të respektohen, por duhet parë edhe kundërthëniet. E habitshme si është njohur manastirit e drejta e palës në procedurë. Cështja e pronësisë e tokës përreth Manastirit, Kushtetuesja nuk është dashur të marrë vendim pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike”, kishte thënë Kurti.

Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokat e Manastirit të Deçanit është trajtuar në Rezolutën e miratuar nga PE më 6 korrik.

Ajo çfarë është shkruar në Rezolutë, është gjuhë e njëjtë e përsëritje e raporteve ndërkombëtare të mëparme.

Parlamenti Evropian  ka kërkuar respektimin e vendimit të Kushtetueses, që ia njeh Manastirit të Deçanit pronësinë e parcelave të tokës.

“I kërkon qeverisë që t’i adresojë shqetësimet në mënyrë të duhur dhe të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për dhënien e parcelave të tokës Manastirit të Visoki Deçanit; është i shqetësuar se autoritetet ende nuk e kanë zbatuar këtë vendim gjyqësor, duke minuar kështu angazhimin e qeverisë për të zbatuar sundimin e ligjit dhe respektimin e saj për një gjyqësor të pavarur, si dhe reputacionin ndërkombëtar të vendit; nënvizon rëndësinë e zbatimit të të gjitha vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; i bën thirrje qeverisë të zbatojë një qasje joselektive ndaj konceptit të shtetit të së drejtës”, shkruhej në raport.

3. KODI CIVIL: Para se Kodi Civil të dërgohej për votim në Kuvendin e Kosovës, BE e ‘detyronte’ Kosovën që të miratohej ky Projekt – Kod Civil.

Në një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog i cili ka thënë se do të jetë përgjegjësi e qeverisë dhe deputetëve krijimi i Kodit Civil dhe sigurimi i zbatimit të tij, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka thënë se ky është një dokument i rëndësishëm për miratimin e të cilit duhet të bashkëpunojnë pozita dhe opozita.

Megjithkëtë, me 28 vota për 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.

Në memorandumin shpjegues të Projektkodit Civil thuhet se qëllimi i tij është rregullimi dhe harmonizimi i dispozitave ligjore të së drejtës civile materiale. Sipas memorandumit shpjegues, miratimi i këtij projektligji është i domosdoshëm për rregullimin parimor dhe material të së drejtës civile si dhe në thjeshtësimin e zbatimit të së drejtës civile nga autoritetet gjegjëse.

4.SHAMIA NË SHKOLLA:

Mbi 10 mijë komente të njëjta janë bërë ditën e martë në njërin prej postimeve të fundit të kryeministrit Kurti në Facebook, ku ai njoftoi për kalimin e rregullores së re të Kuvendit të Kosovës. Këto komente, kanë të njëjtën përmbajtje me ‘hashtagun’ që bën thirrje për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për shaminë – njëherit, një premtim i vitit 2017 i Albin Kurtit.

Kjo kampanjë, është nisur nga Durim Berisha (ish-këshilltar i Kurtit) dhe Liridon Kurti, të cilët kërkojnë ndryshimin e nenit 3 në Udhëzimin e miratuar në bitin 2014, që ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla.

Periskopi ka pyetur Ministrinë e Arsimit, gjegjësisht, zëvendësministrin z.Dukagjin Pupovci, por morën një përgjigje të njëjtë që kjo Ministri është duke e dhënë për të gjitha mediat simotra.

“E kemi pranuar kërkesën formale dhe jemi duke e shqyrtuar. Kaq mund të them për momentin”, tha shkurt z.Pupovci për Periskopin.

Ndryshimin e nenit në udhëzim, po e kërkon edhe deputetja Duda Balje e cila në një prononcim për Periskopin thotë se nuk e kupton kryeministrin Kurti se pse është inferior ndajë kësaj çështjeje.

Znj.Balaj thotë se për këtë temë e ka pyetur edhe ministren Nagvci por që siç thotë ajo, kjo ministri asnjëherë nuk ka thënë jo, por që në të njëjtën kohë ‘nuk kanë marrë diçka për ndryshim të udhëzimit administrative. Asnjë përgjigje konkrete prej ministrisë nuk e kemi’.

“Për fat te keq, shumë here kemi hasur në këso tema edhe brenda komisionit të  drejtave të njeriut edhe faktikisht unë kam thirrë edhe ministren me pyet se ku është problemi,  domethënë edhe sot nuk kuptoj ata kurrë nuk kanë thënë jo, por asnjëherë nuk kanë marrë diçka për ndryshim të udhëzimit administrative. Asnjë përgjigje konkrete prej ministrisë nuk e kemi, në fakt kemi do sinjale, ku ministrja nuk don me ndryshu këtë udhëzim. Është kundër, edhe shumë është keq, edhe unë mendoj që ata kanë të drejtë, edhe secila vajzë që vendos me qitë shaminë në kokë ka drejtë me ba. E tash na nuk kemi ligj që është tu i ndalu këto, veç kemi udhëzim administrativ, ku ministria e ka nxjerrë në anën e ligjit. Nuk kuptoj bre pse, nuk kuptoj pse janë kundër. Unë muj me kuptu sepse nuk është moderne, sepse na si Kosovë duhet me qenë shumë modern edhe mos me leju kështu diçka por në fakt na jemi tuj shkelë në mundësinë e edukimit të vajzave. Domethënë nuk mundem kuptu pse Kurti është qaq inferior, nuk mundem kuptu. Pse janë kaq inferior dhe nuk shohin me bë zgjidhej për këtë.”, tha znj.Balje për Periskopin.

Derisa ende nuk dihet se kur Ministria e Arsimit do të dalë me një qëndrim konkret lidhur me këtë kërkesë të një pjese të konsiderueshme të popullit, ideja e tillë po has në kundërshtim nga figura të njohura në vendin tonë.

Për ish-ambasadorin e Kosovës, z.Lulzim Peci, kjo nismë ka ‘për qëllim futjen e islamit politik në institucionet e Kosovës’.

Peci përmes një reagimi në Facebook ka thënë se shpreson se Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë një gabim madhor duke e ndryshuar udhëzimin administrativ.

“Shpresoj se Qeveria e Kosoves nuk do te beje nje gabim madhor duke e ndryshuar udhezimin administrativ qe ndalon bartjen e uniformes fetare – shamise ne shkolla, pasi me kete karakteri sekular i vendit tone do te goditet ne themel, e me kete edhe shtylla mbajtese e identitetit shqiptar ne vendin tone”, shkruan Peci në këtë postim.

Për profesorin Blerim Latifi, i cili po ashtu është kundër ndryshimit të këitj udhëzimi administrativ, heshtja e intelektualëve të Kosovës por edhe politikanëve poashtu për këtë temë, është e papranueshme.

“Dhe politikanët heshtin, sepse mendjen e kanë veç te pushteti i tyre personal, te votat, për të cilat janë në gjendje të koketojnë edhe me dreqin e me t’birin.

Heshtin edhe intelektualët! Disa nuk kanë guxim të flasin, sepse ndihen të frikësuar nga falangat digjitale vahabiste, e shumë të tjerë sepse e kanë shitë shpirtin.

Kështu çikat e Kosovës po bëhen viktimat e para të projektit perfid të Serbisë për t’i bindë ata që e mbajnë gjallë shtetin e Kosovës, botën perëndimore, se ky shtet nuk bëhet dot, sepse njerëzit e tij kulturalisht na qenkan anadollakë, e jo evropianë, prandaj, rrjedhimisht, çështja e statusit të Kosovës duhet të rihapet! Sepse një gjë dihet shumë mirë, prej kohësh: pas çdo “rizgjimi fetar” gjithmonë fshihen plane e synime politike”, ka shkruar z.Latifi në postimin e fundit në Facebook.

Kujtojmë se edhe Bashkësia Islame e Kosovës, me të nisur kjo fushatë, ka ripërsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës, për ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ./Enis Rrustemi/ Periskopi/

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: