Shala viziton familjen e heroit Halim Bajraktari: E kisha mik dhe bashkëluftëtar që nga orët e para të luftës për liri
Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Ferat Shala ka vizituar familjen e heroit, Halim Bajraktari i cili mbante nofkën ‘Hoxha’, ku është takuar me babain e tij Ramadanin dhe djalin e tij Halimin.
”Heroi i Kombit Halim Bajraktari ishte një ndër ata shqiptarë që dashurinë ndaj kombit dhe atdheut, si dhe besimin në Zot, e kishte shndërruar në burim të forcës për të rezistuar ndaj armikut pushtues’, shkruan Shala.
Postimi i plotë:
Në familjen e heroit Halim Bajraktari, i cili u vra në prill 1999 te Guri i Gradinës. U takova me babain e tij, Bacën Ramadan dhe djalin e tij Halimin, i cili mban me krenari emrin e heroit. Isha i nderuar nga mikpritja e familjes së Halimit, të cilin e kisha mik dhe bashkëluftëtar që nga orët e para të luftës sonë për liri.
Halimi mbante nofkën “Hoxha,” dëshmi e përkushtimit të tij ndaj besimit dhe edukimit të tij fetar. Heroi i Kombit Halim Bajraktari ishte një ndër ata shqiptarë që dashurinë ndaj kombit dhe atdheut, si dhe besimin në Zot, e kishte shndërruar në burim të forcës për të rezistuar ndaj armikut pushtues.
Halimi nuk ishte anëtari i parë i kësaj familjeje të madhe shqiptare që dha jetën për atdheun, duke ndjekur kështu një traditë të kahmotshme patriotike që e ka karakterizuar këtë familje ndër breza.