Shala: Projekti “Superpuna” i dyshimtë – miliona euro janë shpenzuar në mënyrë të paqartë
Deputeti i PDK’së, Ferat Shala ka ngritur dyshimet rreth projektit ‘Superpuna’, projekt ky i qeverisë.
Sipas Shalës, ky projekt është i dyshimtë juridikisht dhe financiarisht.
“Ky projekt u krijua dhe u zbatua në mënyrë të dyshimtë, duke anashkaluar bazën ligjore dhe kriteret që rregullojnë funksionimin e Zyrave të Punësimit në Kosovë. Përmes një sekretariati të emëruar politikisht, u shmangën institucionet e rregullta dhe u injoruan plotësisht procedurat ligjore”, shkroi Shala në Facebook.
Tutje ai thotë se, Ministria e Financave tash në përpjekje për të shmangur përgjegjësinë, po tenton t’ia kalojë këtë projekt Zyrave të Punës në nivel lokal.
“Çështja është se pse nuk u përfshinë Zyrat e Punës që në fillim?
Kush e ka udhëhequr këtë projekt dhe si?
A ka pasur ndonjë mekanizëm llogaridhënës dhe a është audituar projekti?
Sa miliona euro janë shpenzuar deri më tani?
Pse është ndërruar vendimi i parë për themelimin e Sekretariatit të Superpunës?
A është dashur që Agjencia e Punësimit të Kosovës, permes Zyrave të Punësimit, të monitorojë zbatimin e skemës?
A duhet Agjencia e Punesimit dhe ZP-të ta pranojnë këtë projekt të dyshimtë tash në fund të mandatit dhe projektit?”, shkroi ndër të tjera deputeti i PDK’së.