Shala: LVV-ja ka pasur potencial e ka ende për të kryer akte terroriste

Shala: LVV-ja ka pasur potencial e ka ende për të kryer akte terroriste

Analisti politik Azdren Shala ka deklaruar se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka pasur potencial të madh terrorist dhe se shteti ka dështuar të veprojë në kohën e duhur për ta ndalur këtë rrezik.

Sipas Shalës, ekzistojnë dëshmi të shumta që vërtetojnë se Vetëvendosje ka funksionuar si një organizatë me strukturë paralele, e aftë për akte të dhunshme.

“Sot mund të gjenden 100 dëshmitarë që konfirmojnë se LVV-ja ka qenë një organizatë me potencial enorm terrorist,” u shpreh ai në KTV-së.

Ai përmendi arrestimin e Albin Kurtit në vitin 2015 në zyrën e partisë “te Qafa”, ku sipas tij, ishte gjetur armatim, si një nga provat që tregonin se Vetëvendosje kishte kapacitete për veprime të dhunshme. Po ashtu, ai rikujtoi sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës në vitin 2016, duke e cilësuar atë si akt terrorist për të cilin thotë se VV-ja e ka potencial ende.

Shala theksoi gjithashtu se për një periudhë të gjatë, LVV ka trajnuar të rinjtë për përplasje me Policinë e Kosovës dhe ka funksionuar si një sistem paralel brenda shtetit.

“Ka fotografi, ka fakte materiale që tregojnë se si kjo organizatë ka përgatitur të rinjtë për konfrontime me forcat e rendit”, shtoi ai.

Sipas analistit, shteti është treguar i dobët në raport me Vetëvendosjen dhe nuk ka ndërmarrë masa të duhura për të parandaluar rritjen e saj si një organizatë me tendenca radikale.

Shpërndaje në: