Shala: KPMM nën diktatin e politikës po saboton bizneset, me Hamzën kryeministër këto probleme do të zgjidhen shpejtë
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Ferat Shala, thotë se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) po i saboton bizneset. Shala thotë se KPMM nën diktatin e politikës ditore, po vazhdon të shkelë ligjin dhe të sabotojë punën e qindra ndërmarrësve.
“Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), që është rregullator i minierave, nën diktatin e politikës ditore, po vazhdon të shkelë ligjin dhe të sabotojë punën e qindra ndërmarrësve. Tashmë dihet edhe publikisht se bordi i këtij rregullatori, me urdhra politikë, po e godet rëndë një industri të tërë dhe po e vështirëson ekzistencën e mijëra punëtorëve të kësaj industrie. Duke shfrytëzuar kohën e fushatës elektorale, kur nuk ka llogaridhënie, bordi po vazhdon me ndjekjen dhe dëmtimin e ndërmarrjeve private”, ka thënë Shala.
Ndërsa ka pohuar se në muajt e parë të qeverisjes së kryeministrit Bedri Hamza, problemet e bizneseve të goditura, do të zgjidhen shpejtë dhe korrekt.
“Ne ju garantojmë të gjitha bizneseve të goditura se këto probleme të tyre do të zgjidhen shpejtë dhe me korrektësi menjëherë në muajt e parë të qeverisjes së kryeministrit të ri Bedri Hamza”, tha ai.