Shakohoxha komenton dështimin e Kosovës në kualifikime, flet edhe për lidhjen Çeferin – Gliha
Gazetari i njohur shqiptar, Dritan Shakohoxha, në emisionin sportiv “Favorit në T7” e ka komentuar dështimin e Kombëtares së Kosovës në kualifikimet e Euro 2024.
“Shako” po ashtu ka folur për afërsinë mes presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin dhe selektorit të deridjeshëm të “Dardanëve”, Primoz Gliha, të cilin e quan si katastrofal, njëjtë si paraardhësin e tij, Alain Giresse.
Sipas Shakohoxhës, menaxhimi i dobët i situatës ka bërë që Kosova “të bëjë vetë gjithçka për të mos shkuar në Evropian”, ndonëse ka ekip cilësor dhe para kualifikimeve i kishte mundësitë edhe më shumë se Shqipëria për t’i prekur finales e Euro 2024, shkruan “Gazeta Express”.
“Kosova i bëri të gjitha përpjekjet që të mos kualifikohet, nuk la gjë pa bërë që të mos kualifikohet dhe ia doli të mos kualifikohet. Drejtuesit e Federatës ishin tek shorti i të kualifikuarve, pavarësisht se skuadra e tyre nuk shkoi atje. Shqipëria nuk ishte dhe aq shumë favorite, por u ndërtua një super-skuadër dhe realisht nuk kemi histori në Evropianë, por po shkojmë si liderë të grupit pa e vënë në asnjë çast në dyshim kualifikimin. Një super skuadër, nuk një skuadër që u kualifikua rastësisht”, deklaroi fillimisht Shakohoxha në “Favorit”, për t’i përmendur më pas defektet që mendon se i ka Kosova, të cilat ia pamundësuan kualifikimin historik.