Sfida speciale: Hong Kongu/Grenlanda

Sfida speciale: Hong Kongu/Grenlanda

Zhbërja e “një Kinë me dy sisteme”

Nxitja për zhvillim më të hovshëm ekonomik ka shtyrë shtete kryesisht të Evropës për tu zgjeruar, me posedime të ndryshme territorial gjithandej botës. Shumë vite më vonë janë SHBA-të ato që bëjnë një zhvillim të tillë, por, nuk janë vetëm premisat ekonomike ato për administrimin e territoreve special, por janë edhe interesit politike, ushtarake si dhe ato të sigurisë. Ekzistimi i këtyre territoreve e ka bërë botën shumë më diverse dhe si të tilla ka ndikuar po ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Shumë territore speciale mund të mos kenë ndonjë status aktual të stabilizuar, andaj ato në të shumtën e rasteve janë edhe subjekt i ndryshimeve duke avancuar apo degraduar pozitën e tyre.

Territoret speciale si Hong Kongu apo edhe Grenlanda janë krijuar si rezultat i periudhës së stërzgjatur historike të kolonizimit dhe dekolonizimit. Kjo nuk do të thotë se këto territore në pafundësi të trajtohen si koloni apo të ngjashme, sepse banorët e atyre territoreve pa dyshim se kanë një vullnet politik. Shkathtësitë diplomatike ishin ato të cilat krijuan marrëveshje të atilla që  krijuan pikërisht këto territore speciale, por jo vetëm ato, sepse ishte edhe forca politike e ushtarake ajo që solli në disa raste krijimin e atyre zonave apo territoreve të caktuara.

Njëri nga regjionet administrative speciale të Kinës, Hong Kongu tash e disa muaj është duke u përballur me protesta masive nga studentët por jo vetëm nga ta, ata po përkrahen edhe nga mësimdhënësit e tyre dhe mijëra qytetarë. Protestat pro demokracisë pa dyshim se janë shoqëruar me përleshje mes protestuesve dhe policisë. Qeveria në Pekin ka shprehur gatishmërinë që t’i shuaj ato protesta me një automatizëm duke intervenuar me forcat e saja ushtarake.

Ishte pikërisht projektligji i cili lejonte të dyshuarit të përballen me gjyq në territorin Kinës ai i cili nxiti tërë ato protesta, pa dyshim se ai projektligj u pezullua, ndërsa kërkesa e protestuesve ka avancuar tutje duke kërkuar dorëheqjen e udhëheqëses Carrie Lam si dhe shpërbërjen e legjislaturës aktuale dhe po ashtu, një hetim të plotë rreth përdorimit të forcës së shfrenuar nga ana e policisë kundrejt protestuesve. Epiqendra e grumbullimit të forcave ushtarake kineze është bërë qyteti i Senzhenit i cili ndodhet në periferi të Hong Kongut e që realisht mes këtyre dy vendeve ndodhet kufiri administrativ. Pavarësisht se a do të intervenoj apo jo Kina në Hong Kong, ajo është duke e dërguar mesazhin edhe tek qytetarët e Hong Kongut por edhe tek faktorët ndërkombëtar se ky territor pavarësisht specifikave që ka si rezultat i pranim-dorëzimit të tij, nga ana e Britanisë së Madhe, tashmë konsiderohet si pjesë e Kinës, dhe se regjimi kinez herët a vonë do të shtrijë ndikimin e vet edhe në këtë territor.

Ajo që do të mund të prodhonte ndërhyrja eventuale e Kinës në Hong Kong është përfundimi i asaj që njihet si “Një Kinë me dy sisteme”, po ashtu edhe pesha ekonomike të cilën e ka Hong Kongu në marrëdhëniet ndërkombëtare do të zhbëhej thuajse tërësisht apo do të vihej në limitet e saja. Po ashtu, edhe të gjithë ata të cilët Kina përkatësisht Partia Komuniste i ka pasur kundërshtar politik, rrjedhimisht armiq të saj e që janë “fshehur” në Hong Kong do të arrestoheshin apo edhe do të ekzekutoheshin. Bota Perëndimore veçanërisht SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian, do të jenë të paafta të ndërmarrin diçka konkrete në këtë drejtim sepse të gjitha veprimet e mundshme do të mbesin vetëm në nivel të deklaratave, konferencave apo të sanksioneve ekonomike e ushtarake karshi Kinës së madhe. Ndërsa, Hong Kongu do të bëhej një vend nëse mund të themi i aneksuar ashtu sikurse Krimea e aneksuar nga ana e Rusisë. Për të mos ardhur deri te kjo, një paralajmërim të ‘butë’ e ka dhënë edhe president Donald Trump, duke e sugjeruar presidentin kinez Xi Jinping që të takohet me protestuesit dhe të gjejnë një zgjidhje.

Evropa ishullore në kontinentin e Amerikës Veriore

Pak ditë më parë u riaktualizua ideja e blerjes së Grenlandës nga ana e SHBA-ve, ide kjo qysh nga viti 1946 ose thënë ndryshe ide e krijuar mes viteve 1941-1946 kur Grenlanda ishte vënë nën kontrollin ushtarak të SHBA-ve. Sikurse tani edhe asokohe oferta për blerjen e ishullit nga SHBA ishte refuzuar nga qeveria daneze. Riaktualizimi i idesë së blerjes së Grenlandës vije në prag të një momentumi politik i cili pritet të ndodh në vitin 2021. Qeveria daneze me tu riaktualizua ideja e blerjes së ishullit, kishte thënë se kjo ide është një çmenduri, si rezultat i kësaj deklarate, presidentit Donald Trump anuloi vizitën në Kopenhagën, vizitë kjo e paraparë të ndodh në fillim të shtatorit. Ky veprimi i presidentit Trump tregon seriozitetin e synimeve amerikane ndaj ishullit.

E drejta ndërkombëtare banorët e Grenlandës i njeh si popull në veti, andaj ambicia politike për pavarësi nga Danimarka shprehet thuajse nga të gjitha partitë politike. Një Grenlandë potencialisht e pavarur do të ishte shteti i trembëdhjetë në botë për nga sipërfaqja gjeografike. Konsideroj se pavarësia e Grenlandës nuk do të mbetet vetëm çështje mes Mbretërisë daneze dhe grenlandezve, sepse aty pa dyshim do të ketë ndikim konotacioni i përgjithshëm (botëror) në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pse mund të ketë implikime nga faktorë ndërkombëtarë? Është pikërisht pozita gjeografike dhe rezervat e mëdha të akullit që posedon Grenlanda dhe si e tillë ka ndikim të drejtpërdrejtë në ndryshimet klimatike për tërë globin. Gjithashtu, pozita gjeopolitike e ishullit ka një rëndësi të madhe andaj një Grenlandë eventualisht e pavarur me një popullsi të vogël e me ndikim kaq të madh pa dyshim se do të jetë një shënjestër nga superfuqitë e mëdha.

Pra, interesimi i SHBA-ve për blerje të ishullit është interesim me karakter politik, ushtarak dhe gjeostrategjik. Këtë më së miri e dëshmon edhe vetë baza amerikane e vendosur në Tule që nga viti 1950. Andaj, nëse nuk gjendet ndonjë marrëveshje eventuale mes SHBA-ve dhe Mbretërisë Daneze për ishullin tani, pa dyshim se pas vitit 2021 do të ketë mundësi që të realizohet një marrëveshje mes grenlandezve dhe SHBA-ve. Kësaj radhe qeveria amerikane duket se është më e vendosur se kurrë në kërkesën e vet për një marrëveshje për ishullin sepse baza ushtarake në Tule duket se duhet të zgjerohet që t’i bëjë ballë sfidave të sigurisë globale.

(Ridvan Emini është studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe filozofisë)

Shpërndaje në: