Sfida interesante në xhiron e tretë të Ligës Unike
Xhiroja e tretë e Ligës Unike që zhvillohet në fundjavë do të sjellë takime mjaft interesante.
Prizreni 16 do të përballet me Rahovecin, që nuk e ka nisur mirë këtë edicion, por kërkon këndelljen. Prizrenasit kanë një fitore dhe një humbje, kurse Vreshtarët dy humbje në dy ndeshje. Ky takim ka vlerë të dyfishtë, pasi rezultati llogaritet edhe në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.
Të shtunën zhvillohet klasikja e basketbollit shqiptar mes Vllaznisë dhe Tiranës, dy skuadra me traditë në basketbollin shqiptar. Në Ligën Unike, shkodranët kanë dy humbje, kurse tiranasit një fitore dhe një humbje.
Sfidë interesante pritet ndërmjet Pejës dhe Kamza Basket. Pejanët kanë ambicie të mëdha në këtë edicion, ndërsa skuadra nga Kamza, e ka nisur mirë edicionin e ri në Ligën Unike me dy fitore, kurse Verdhezinjë kanë një fitore dhe humbje.
Takimi i fundi i xhiros është mes Teutës dhe Golden Eagle Ylli, dy skuadra që ishin ndeshur në gjysmëfinale të Superkupës Mbarëkombëtare, ku kishin fituar therandasit, që janë favoritë edhe për këtë ndeshje. Skuadra nga Durrësi ka një fitore dhe një humbje, ndërsa Ylli ka dy fitore në dy ndeshje.
Liga Unike – Xhiro 3
E shtunë
17:00 Prizreni 16 – Rahoveci
19:00 Vllaznia – Tirana Neptun
E diel
17:00 Peja – Kamza Basket
19:00 Teuta – Golden Eagle Ylli