Sfida e Vetëvendosjes: Çkapeni shtetin duke llogaritur në ekzistencën e Kosovës edhe jashtë Prishtinës

Sfida e Vetëvendosjes: Çkapeni shtetin duke llogaritur në ekzistencën e Kosovës edhe jashtë Prishtinës

Nga Fatlum Sadiku

Historia e pushtetit lokal në Kosovë, është histori kadinjsh, prijësish fisnorë, pajtimtarësh të deleguar nga valiu a sulltani,  odbornikësh, kryetarësh bashkësish lokale e komisarësh me revole; aktivistësh, nëpunësish e komisarësh të denjë të jugosllavizmit të shndrruar në LDK-istë, targmbledhës të 3%-shit; histori e shpërndarësve të ndihmave të Shoqatës “Nëne Tereza”, histori tyxharësh e analfabetësh funksionalë të pasluftës, “shefash”e çkamos. Dhe kjo – nëse për pikë reference marrim kohën moderne – daton që nga Tanzimati (mesi i shekullit XIX) e këndej. Prej ateherë kur periferia “lindore”, pra Stambolli tentoi të zbatonte reformat e para në pjesët e banuara e të harruara me shqiptarë, këta edhe pse gjeografikisht ishin më “perendim” se Stambolli, duke qenë realisht edhe periferi e tij edhe e kryeqendrave europiane, shpërthyen në rezistencë që matur me kutet progres/regres i bije të jetë regres.

“Asht habit fort ky hallki, sheriatin ja u dan qyfari” thotë njëri varg i këngës së vjetër folklorike “Elif elif” kënduar nga Riza Bllaca, po si të ishte një elegji apologjete purizmit mysliman dhe tradicional. Është interesante që edhe Fadil Hoxha gjatë Luftës së Dytë Botërore qe dërguar si mësues në Anamoravë, por qe dëbuar nga Mulla idriz Hajrullahu (Gjilani). Një shembull interesant i para 73-74 viteve se si periferia e refuzonte qendrën, konstant. Pra refuzohej mësimi që qe  presupozuar të ishte modernist, si dhe uniforma komuniste, që merrej për sllave. I pari shijoi postet e ofiqet e shtetit jugosllav, i dyti u dogj për së gjalli më 1947 nga po ai shtet. Sot ahistoriku kosovar i nderon dytë. Komike apo jo? Zaten të qenit kaq të mirë në histori na ka sjellur këtu ku jemi.

Historia e qytetit kosovar nuk lindi nga bashkime qendrash mikroborgjeze apo nga tregtarë që nxorrën Europën nga modeli i qytetit-fortifikatë. Jo rastësisht shumë qytete në Europë kanë sufiks të borgjezisë: Strazburg, Salzburg, Edinburg, Luxemburg (qytet-shtet), Regenesburg, etj, në një kohë kur tek ne Mitrovica p.sh ka emër të derivuar nga shenjtori krisitian Shën Dhi(mitr)i dhe që për një kohë mbajti edhe një sufiks interesant pronësie: Mitrovica e Titos. Hermeneutikë interesane:  lavdi i emrit të diktatorit shtetëror i ngritur në mbiemër që posedon emrin e luftëtarit kristian/qytetit. Disi si “qyteti Zotit” i Augustinit t’i nënshtrohet ndërrmarësisë së ngritjes së kullës së Babelit: gradi dhe graxhanshtina u ngritën mbi Shën Dhimitrin shenjtor porsi Kulla e Babelit që ktheu majën e vet kah Zoti.

Kësodore, historia e qytetit kosovar është histori mbi rrënojat a lokalitetet romake/bizantine, despotateve e mbreterive mesjetare bullgare e serbe,  të pasuara për 500 vite nga shehri otoman – më vonë nga tendenca gjysmake e Jugosllavisë Monarkiste për planifikim dhe modernizim, dhe krejt në fund nga sipërmarrësia minimaliste/socialiste e Jugosllavisë së Dytë. Pra përderisa historia e lokales së prevaluar në publike në Europë është produkt borgjez që kurorëzoi qytetin dhe tregtinë,  tek ne historia e qytetit është histori shkarjesh ndër epoka,  ku otomanja ngritet mbi bizantinen, modernizmi otoman mi vetëveten e tij, modernizmi monarkist jugosllav mbi atë otoman, modernizmi soc-realist jugosllav mbi krejt modernizmat e mëhershëm, pasur nga zallamahia hibride e të 90-tave dhe e pasluftës. Pra ku duart e shtetit dhe e modernizmave të ngritur fët e fët e me pahir, lëshohen si lakenj ndaj presë që dorën në zemër po e qelbte mosndryshimi. Dhe ku mbi të gjitha ajo që i bënte kasabatë si në rastin tonë “shehre”, pra ajo që tek ne ishte “habit-forming-force”, s’ishte ndërrmarësia e tregtisë, por e arti(zanatit) dhe  esnafërisë, përreth vakëfeve,  mështetur nga bujqësia dhe blegtoria e fshatit. Natyrisht që kishte tregti, por jo në kuptimin mikroborgjez a kapitalist të fjalës.

Qyteti, gradi, city, etj., erdhën pra si inventime postosmane në një vend krejt periferik e rural e shqiptari veç qytetar  nuk u bë.. Përkitja jetëgjatë me otomanen dhe në otomanen, krahas me të qenit periferi (për paradoks as sot asnjë qytet të hapësirës shqiptare s’mund ta krahasosh Bejrutin modern) e skalitën trollin kosovar si fort të ndryshëm dhe të pafuqishëm përballë të resë, përballë, modernizmit që gjithnjë e më shumë po vinte rrëmyeshëm, si një top bore në rritje. Vetëm bëjeni një qark prej Komunës kah Tophanja e deri tek “Qafa” në Prishtinë, dhe do e gjeni këtë që po them: otomanja, monarkikja, jugosllavja, e kapitalizmi fët e fët ngjitazi me njëri tjetrin –  sipri mi jetë e vdekje  të shtrira shqiptarësh të hibernuar e astenikë, që modernizmi edhe ashtu kopjaq po u vinte si gogoli i munguar, e të cilin ose duhej refuzar plotësisht, ose duhet pranuar në mynyrë shtirracake, si tëhuajsim dhe kundër vetes,  pa e bërë asnjeherë vetë publiken.

Koha kalonte e  përballë edhe atij modernizmi gjysmak që vinte,  kapitali njerëzor shqiptar ose s’reagonte ose edhe kur e bënte, e bënte ose me tëhuajsim të plotë dhe jashtësim, ose me refuzim e strehim edhe më të madh në kranarinë rurale. Hiç më larg se pardje në tërë kafenetë e Vushtrrisë s’gjenim askund birrë. Jo pse tashmë birra s’njihet e s’pihet, përkundrazi pihet me vagonj, por prirja anti-publikë e periferisë,  akoma pretendon të ngulmojë. Madje në Vushtrri mësuesi i parë që futi shkrimin latin në vitet ’50 njihej nga vendasit si “Emin kauri”. Pra sa më shumë që koha kalonte, paradoksi në dalldinë e jetës trashej edhe më shumë : Jugosllavia që vetë qe  ngritur si një kopje e modernizmave europian e rus, dhe që operonte si periferi (për të mos hyrë këtu që lindi si allëshverësh stabiliteti fillimisht francezo-anglez për ta kornizuar Gjermaninë e posamundur, dhe për herën e dytë si allëshverësh i Churchillit me Stalinin) po e vononte qëllimisht modernizimin e periferisë së saj, në një kohë kur rurali e shehërlia shqiptar ose ia absorbonin vetëm modën ose se lëshonin dot belin e statikes.

Kësodore besatimi për kronopolitika përparimtare, nuk krijonte lidhje mbështetëse me kronometrinë operative, sepse edhe preferohej të mos ngacmohej fort Serbia por edhe tabani vendor s’ishte gjë tjetër pos shumësi familjesh e faresifesh të përçara, armë e vetme e të cilave ishte shtimi natyror. Ngjashëm me ndonjë copëz territori të rajoneve kurde. Edhe kur ngjau një semimodernizim e sermiurbanizim, e shumta që doli ishte një tendence gjysmake për pavarësim nga tradita, respektivisht një atashim për veçim e dallim që modernizmit i absorbonte vetëm dromca, por jo edhe premtimin për ndryshim paradigmatik (individualiteti, pavarësimi, Revolucioni Seksual, barazia e gruas me burrin etj.)  Pra në të gjitha dimensionet jo vetëm që kasabaja s’po bëhej qytet, jo vetëm që shqiptari refuzonte ndryshimin, por as në atë gjysmë-publike të bërë nga sunduesi s’ia dilte  të notonte. Premtimi i mobilitetit që sjellë qyteti doli të jetë boomerang: qyteti solli demobilitet, meqë s’po ngjizte komb a shoqëri, por po strehonte a urbanizonte familje e farefise të gjysmëpavarësuara nga fshati, ambicia më e lartë e të cilave – sikurse edhe sot – ishte punësimi.

Punësimi në një publike të pabërë vetë,  e cila në fakt vetë qe e strumbulluar pas dhe përmes aneksimit të Kosovës nga rendi politik e publik tjetër (i huaj) pra ai jugosllav, e që për rrjedhojë përjashtonte mundësinë për ndonjë besatim autentik të supozuar – qoftë shqiptar a kosovar. Kësisoji nëse këtu do të përdorim nënndarjen që Batallie  i bën kohës të njeriut primitiv/evoluimit të tij, në kohë profane ku hynë puna, dhe në atë të shenjtë ku hyjnë vdekja dhe festa, do të mund të thoshim se shqiptari/kosovari edhe sot  të del tamam si njeriu i kësaj sorte: do shumë festa, është totemist e supersticioz ndaj vdekjes, dhe punën nuk e ka në shërbim të arsyes si premtim përparimi,  por në shërbim të arsyetimit shmangës ndaj besatimeve që mund ta ndajnë nga puna që i siguron mbijetesën (profesioni, argatëria etj.)

Ndaj edhe historiku i kryeqytetit kosovar nuk mund të lexohet permes historive, sociologjive, a antropologjive, me një fjalë pikëpamjeve moderniste, të paktën jo deri para 50 vitesh. Edhe kjo e 50 vjeçarit të fundit, s’ofron më shumë se sa tablon e një ndërmarrësie  të një punëve të papërfunduara të një shteti që mori fund. Me fjalë tjera Prishtina s’hyn në sortën e qytetit për të cilin shkroi Weberi, ndaj edhe s’mund të ketë bajpasime, pavarasësisht se sa duartrokitje merr Ahmeti tek Batoni. Zaten edhe mashtrimi dhe burgosja në terma shpesh na shkakton huti. Prishtina kryqytet po, Prizreni qytet po, por si, çfarë dhe mbi çfarë trajektoresh historike, gjeografike, politike, kulturore, ekonomike? Kur sociologu i rëndomtë kosovar ta kujtoj se Prishtina është sa Tetova, e me territor më e vogël se Novi Pazari, nuk besoj se nuk ndjen një dozë angështie e thyerje shpresash. Prishtina ishte dhe është edhe periferi e Stambollit, edhe e Beogradit, edhe e Tiranës edhe e Shkodrës, edhe e Korçës  edhe e Shkupit. Edhe politikisht edhe kulturalisht.

Duke trashëguar ndarjen administrative jugosllave të “Pokrajinës” kosovari i pasluftës pak a shumë trashëgoi inventimin rregullativ nga koha e shkuar: Prishtina kryeqytet i centralizmit kosovar-jugosllav respektivisht i “state-kapitalism”-it jugosllav – që realisht mezi mori pamje qyteti vetëm në në 20 vjeçarin e fundit të Jugosllavisë –  pasluftës vazhdoi të ishte vegjetimi kryesor politik, tanimë në duart e atyre që e vërshuan. Jugosllavia nuk i la në kuadër të Kosovës  as Tetovën a Novi Pazarin me Kosovë e lëre më diçka më shumë. Dhe s’do mend se sa çiprotizim, jo vetëm politik, publik, por edhe shpirtëror e angështues ka shkaktuar e shkakton kjo burgosje Mitrovicë-Dragash, Gjakovë-Podujevë, e Pejë-Prishtinë.  Se ç’ronitje në siujdhesa jete ka shkaktuar një mbytje e tillë e ekonomive regjionale. Tu bësh ftesë sot miqëve për një kafe a drekë në Mitrovicë duhet t’i paralajmërosh disa ditë më herët, sepse po u dhe afat vetëm disa orësh u duket sikur t’i kesh ftuar ku s’shkel këmba e njeriut. Me Mitrovicën dihet se ç’ngjau, Peja s’mbeti veçse kasaba, Prizreni ripërsërit Dokufestin, Gjakova vazhdon të jetë e dërrmuar, kurse Ferizaji pavarësisht rritjes ekonomike e demografike, asnjeherë s’vegjetoi ndonjë ndryshim të shënueshëm politik, kulturor a shpirtëror. Edhe Gjilani mbetet i papërfshirë. Ndaj që realisht sfida e Vetëvendosjes nuk është vetëm demantimi i akuzave të rreme apo jo të Blerand Stavilecit në Komunë, por gjallimi i Mitrovicës e Gjakovës si shpirt-komune, pas fitorës. Në njëfarë forme pyetësimi i ecajakes së vetëvetes: a mos filluam edhe ne gjithçka veçse në Prishtinë?

Nëse si modernistë dhe socialdemokratë që janë pretendojnë ta tejkalonë familjen, bizneset monopolizuese etj., si mund të bëhet kjo nëse fokusi më i madh i modus operandit vegjeton më së shumti në 3-4 km vend?  Të mos i japësh rëndësi provinces/prejardhjes, permes injorimit brutal lëre që s’bën gjë, por një ditë të shpaguhet për të keq. Në mes të “rahatoma një dajë dhe një teze” dhe elitizmit të pavetëdijshëm ka pak dallim: mesatari ndjen se nuk e prek dora e opozitarit. Nuk është sfida vetëm tek kritika për asfalt e për aferat e MTPT-së por tek vetë rimendimi i telekomunikacionit në vend. Paramodernët mbase janë të tejkaluar sot, por jo edhe disa nga urtësitë e tyre, ndër to kjo: rrugët janë si damarët e njeriut. Gjarpërimi i gjakut në arterie/deje, mundëson jetën e njeriut. Çka nëse në Jugosllavi Vushtrria si qytezë do të planifikohej më kah Obiliqi se kah Mitrovica/Shala p.sh? Cilo do të ishte fati i qytezës? Kur ka mundur llojlloj mediokri ta mendoj asokohe planifikime e telekomunikacion pse s’mundet VV?  Nuk është vetëm tek kritika për shitjen e lirë të KEK-ut sa por tek pyetësimi i vetë KEK-ut. Si mund tu’a lëshosh aktivistëve: “Devil Probaly” te Bressonit apo “Red Desert” të Antonionit e të mos kesh qëndrim më publik për (de)industrializmin dhe ekologjinë?

Vetëvedosje kundërshtonte decentralizimin etnik në komuna jashtë Prishtinë, ndërkaq që pas kësaj humbiste edhe nga sytë e periferiut shqiptar. Kundërshton Graçanicën Zajednicë por a ndjehet në Hajvalinë pranë Graçanicës që është si feud i Pacollit? Ajo duhet ta ketë parasysh që vazhdimësia e koncentrimit të gjithçkaje veçse në Prishtinë është edhe vazhdimësi e centralizmit jugosllav, por edhe i traditës banditeske të sortës që po ecën. Dhe mi të gjitha duhet ta ketë të qartë një gjë:  fakti që katër partitë që vijnë nga tradita e ilegales dhe studentores revoltuese: pra PDK, deri diku AAK e NISMA dhe vetë VV sot janë partitë me elektoratin më të madh në vend, jo nga fakti se është bërë ndonjë punë e madhe a reale në terren – meqë njeriu i këtij vendi s’është aspak politik e përparimtar – por nga zhgenjimet. Siç është edhe vetë Ahmeti aty, një i zhgënjyer meqë si FER ua vidhën votat. Të jetë nacionalist? Bah!

VV e di shumë mirë se ky popull nuk iu bashkua luftës as 1%. E di edhe se vdekja e kultit politik dhe ndarja e LDK-së pati sjellur PDK-në në fron. Dhe vetëm zhgënjimi dhe dërmimi tepër i madh i njerëzve nga ta po i shfronëzon. Por zhgënjimi e dërrmimi çojnë kah kërkim-shpëtime e kërkim-strehime të reja të qenies, jo kah siguria ontologjike.  Deri para zgjedhjeve të fundit në Mitrovicë e Vushtrri prania e Vetëvendosjes nuk është ndjerë më shumë se sa komunitetet e selefistëve dhe tifozëve. Vështirë të besohet, por qëndron. Për fund, VV e di fare mirë se edhe ky vend ka vetëm 10.887 km2 e jo territorin e pambarimtë të Rusisë p.sh..

Në Vetëvendosje janë sythat e një lëvizje që mund të përçoj kah një modernizëm alternativ, por kjo s’arrihet pa u përmbledhur në kokën e secilit mendimbërës tek ta, ideja e një Kosove të tërë. Vetë shhteti është mit pa gjallërinë dhe lidhjet imunitare e organike, e lëre me lustrat mediale apo performanca në kryeqytet.

Shpërndaje në: