Sezoni i ri i dasmave
Është interesante se si nganjëherë deklarata të caktuara politike e humbin udhën dhe prejardhjen. Duken se kanë ardhë prej tjetërkah e janë thënë nga tjetërkush. Madje qëllimshëm, shumë lehtë, mundet njeriu që t’ua ndërrojë pronarin dhe kohën nëse e ka ndërmend talljen.
Se di a mund ta qëlloni, pa u treguar, se kush e ka thënë këtë: “shihet se nepotizmi ka përfshirë edhe majat e kësaj Qeverie, e cila në njërën anë bën pazare me Serbinë për tokën dhe funksionimin e shtetit tonë, e në anën tjetër e ka prioritet nepotizmin.”
Mund t’i bijmë në fije kuptimit duke e zbërthyer përfjalshëm. Shihet që janë dy brenga të shprehura, nepotizmi dhe pazaret me Serbinë. Aktualisht në politikën tonë po bëhet brengë serioze përngjasimi i dasmave dhe qeverisjes, në mënyrën se si po “ftohen mysafirët” për ta bërë “ahengun”.
Po ashtu, është brenga qytetare se mos helbete dikush po e llogaritë keq fundin e bisedimeve duke dalë keq nga to, pa ndonjë copë integriteti, qoftë asociacioni qoftë korrigjimi. Por, ta rikthejmë një pjesë të deklarimit të z.Kurti në cilësimet për qeverisjet tjera, duke e garantuar mospërsëritjen e kësaj praktike në qeverisjen e tij.
“Nuk mundemi me i mbush ambasadat sikur nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinj. Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është te shtëpia.” Me ia nisë me i numëru emrat e atyre që morën pozita duke përdorur afërsitë dhe “aftësitë”, qofshin ato familjare apo militante, në qeverisjen aktuale të dalë nga zgjedhjet e fundit, janë shumë. Na nxë akshami veç tu i përmend.
Me ia nisë e me i dëgju arsyetimet e pushtetit sot, se pse janë të “nevojshme” këto emërime, paraprakisht nuk bën pa noj kokërr për dhimtë kreje. Ta shpifë, thonë vëllezërit nga Shqipëria, tendenca për t’i bërë disa më të barabartë se të barabartët.
E tani, deklarata e mëhershme që duket se e ka humbur udhën dhe pronarin është e z.Kurti. Ka “humbur” si e tillë sepse kollaj mund të futet në një kontekst tjetër duke mos e lëkundur kuptimin. Tani mund të thuhet që Kryeministri po flet për veten përmes tjetrit, ose ta thjeshtëzojmë: atë që u thoshte që e bënin të tjerët po e bën vet, prandaj deklaratat e tij të thëna dje po tingëllojnë sikur deklaratat e kundërshtarëve të tij politik për te sot. Urime sezoni i ri i dasmave!