Serwer për sulmin te Ibër-Lepenci: Vështirë të përcaktohet kush janë kryerësit e mundshëm

Serwer për sulmin te Ibër-Lepenci: Vështirë të përcaktohet kush janë kryerësit e mundshëm

Profesori në Universitetin amerikan ‘Johns Hopkins’ dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer tha se sulmi terrorist në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc është një akt i tmerrshëm që ka mundur të ketë ndikime të mëdha në cilësinë e jetës për popullatën në Kosovë.

Në lidhje me mundësinë e infiltrimit të elementeve ruse në organizimin e sulmit, Serwer e cilësoi këtë si një hipotezë të mundshme, por theksoi se pa fakte konkrete, nuk mund të jepen përfundime të sakta.

“Është një akt i tmerrshëm. Sigurisht se do të ndikonte në cilësinë e jetës për një numër të madh të popullatës për një kohë mjaft të gjatë. Por nga Uashingtoni e kam të pamundur ta dijë se kush e ka bërë, më mirë sesa në Beograd e as në Prishtinë. Dhe më duket që asnjëra palë nuk i ka provat e qarta se çfarë ka ndodhur saktësisht”, tha Serwer.

Kur u pyet për akuzat e Qeverisë së Kosovës ndaj Beogradit, Serwer theksoi se është ende e vështirë të përcaktohet se kush qëndron prapa sulmit.

“Në këtë moment është vështirë të përcaktohet kush është sulmuesi apo kryerësit e mundshëm të incidentit të fundit. Nuk dua të zhytem në spekulime të padobishme. Sigurisht se Beogradi e ka mohuar, e madje e ka akuzuar edhe Prishtinën. Kjo është situata ku kemi dy kryeqytete të cilat kanë marrëdhënie jo fqinjësore. Sigurisht se do ta akuzojnë njëri-tjetrin dhe do të mohojnë njohurinë për një rast të tillë dhe prandaj na duhen prova të prekshme. Shpresoj që autoritetet në Kosovë, ato gjyqësore e ligj zbatuese do të prezantojnë prova shumë shpejt”, tha ai.

Serwer shtoi se ka presione ruse dhe gjatë gjithë kohës ka pasur një sërë sulmesh kundër Kosovës, teksa e ka konsideruar gabim të madh të Perëndimit mos ndëshkimin e Serbisë.

”E kam thënë shumë herë ka disa incidente që kanë ndodhur gjatë vitit të fundit dhe të gjitha këto më thonë mua se Beogradi është angazhuar në një përpjekje gjithëpërfshirëse për ta destabilizuar Kosovën përmes veriut. Sigurisht se BE dhe SHBA do të duhej të kishin reaguar ndaj këtyre incidenteve. Unë besoj se ka qenë gabim i stërmadh që këto incidente të mbesin të padënuara ashtu siç do të duhej. Sulmet e tilla janë qartësisht të nxituara, të përkrahura e planifikuara në Beograd, duke përfshirë rrëmbimin e policëve, pastaj sulmet ndaj paqeruajtësve të KFOR-it por edhe sulmi në Banjskë, por siç e thash nuk kam se si ta dijë, sidomos për këtë incidentin e fundit, nëse është si ata të tjerët i planifikuar në Beograd, apo mund të jetë pasojë e ndokujt tjetër, përfshirë këtu edhe forca ruse. Gjithsesi duhet të presim për prova”, shtoi ai në televizionin publik.

Shpërndaje në: