Serwer: Gjykata Speciale e ka ndryshuar qëllimin e saj, në rrezik diskursi për luftën e drejtë të UÇK-së
Profesori amerikan, Daniel Serwer, ka thënë se dënimi eventual i krerëve të UÇK-së do ta dëmtonte imazhin e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, por se Kosova i ka meritat e saj, siç janë: Krijimi i Tribunalit, dorëheqja e Hashim Thaçit nga pozitat e kreut të shtetit të Kosovës si dhe paraqitja e tij me kolegë në Hagë.
Në një intervistë ekskluzive për Periskopin, i pyetur se nëse mund të ketë një ndarje në mes UÇK-së dhe krerëve të saj, Serwer tha se “po, këto mund të ndahen, por se një gjë të tillë nuk po e bën aktakuza e Gjykatës”.
Profesori i Univeristetit “John Hopkins” tha se është në rrezik diskursi i ndërtuar ndër vite se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte në të drejtën e saj në mbrojtje të popullit kosovar, duke kujtuar edhe vlerësimin që presidenti amerikan, Joe Biden, i kishte bërë ish-presidentit, Hashim Thaçi, duke e quajtur si “George Washingtoni i Kosovës”.
“Po, ky dikurs është në rrezik [duke kujtuar vlerësimet e presidentit Biden për ish-presidentin Thaci si dhe intervenimin e NATO-s në mbështetje të UCK-së për dëbimin e forcave serbe, si dëshmi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe liderët e saj ishin në të drejtën e tyre] sepse akuzat janë të shkallës së gjerë”, tha Serwer për Periskopin.
Sa i përket rëndësisë së raportit të Dick Martyt në themelimin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se pretendimet e tij për trafikim të organeve nuk po përmenden më në procesin gjyqësor në Hagë, Serwer “mendon se i gjithë procesi ka ndryshuar në qëllimin e tij”.
“Po, unë mendoj se i gjithë procesi ka ndryshuar në qëllimin e tij, sepse i gjithë mandati i Dhomave të Specializuara është i limituar mbi çështjet e atij raporti, por se shumë pak prej asaj së çfarë ishte në atë raport bën pjesë në akuzat kundër ish-krerëve të UÇK-së”, tha Serwer për Periskopin.
Intervista e plotë:
Periskopi: Nëse krerët e UÇK-së shpallen fajtorë, a mendoni se kjo do ta dëmtonte imazhin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar? Si po e shihni procesin?
Serwer: Kjo qartësisht se do ta dëmonte imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por mua më duket se Kosova i ka disa merita, siç janë: Krijimi i Tribunalit, dorëheqja e kreut të shtetit (Hashim Thaçi nga posti i presidentit) dhe paraqitja e tij në Hagë së bashku me kolegët e tjerë.
Periskopi: Shumë njerëz thonë se ky proces nuk është kundër vet UÇK-së, por kundër liderëve të saj. Sipas mendimit tuaj, a mund të ndahen UÇK-ja dhe liderët e saj?
Serwer: Po, këto mund të ndahen, por aktakuza e Gjykatës nuk po bën një gjë të tillë.
Periskopi: Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka quajtur “George Washingtoni i Kosovës” ish-presidentin Thaçi, kurse intervenimi i NATO-s në luftë, krah UÇK-së dhe kundër forcave të Sllobodan Millosheviqit dukeshin si një dëshmi e fortë se UÇK-ja dhe liderët e saj ishin në drejtën e tyre në mbrojtje të popullit të Kosovës. A është tani në rrezik ky diskurs?
Serwer: Po, është në rrezik sepse akuzat janë shumë të gjëra, të lloj-llojshme.
Periskopi: Raporti i Dick Marty-t ka qenë thelbësor në themelimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Tani që ky raport nuk po përmendet më, a mendoni se i gjithë procesi ka ndryshuar qëllimin e tij?
Serwer: Mendoj se po. Mandati i këtyre Dhomave është i limituar mbi çështjet e këtij raporti, por shumë pak prej asaj se çka është në raport është në aktakuzat ndaj krerëve të UCK-së./Periskopi/