Sërish telashe me koronavirusin te Kosova

Sërish telashe me koronavirusin te Kosova

Të paktën dy futbollistë do t’i mungojnë Kosovës në ndeshjet e këtij muaji për shkak të koronavirusit. Nuk përjashtohet mundësia për mungesa të tjera, por Valmir Sulejmani e Florent Muslija janë mungesa të konfirmuara. Kështu të paktën kanë raportuar të hënën mediat gjermane të afërta me Hannoverin, klubin e këtyre dy lojtarëve.

Një futbollist i Hannoverit është infektuar me koronavirus dhe për këtë arsye e gjithë skuadra e Bundesligës 2 është karantinuar. Një ndeshje që Hannoveri është dashur ta luante të dielën është shtyrë, ndërsa me shumë mundësi do të shtyhet edhe ndeshja e ardhshme.

“Për të ruajtur lojtarët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejme të infeksionit, karantinimi është esencial”, ka thënë mjeku i Hannoverit, Alex Partenheimer.

Thuajse të gjithë lojtarët janë në izolim prej së shtunës për shkak të kontaktit me të infektuarin. Te Hannoveri nuk e dinë saktë se kur mund të luajnë sërish. Në fund të muajit luhen ndeshje të përfaqësueseve dhe kjo mund të shkojë në favor të klubit. Por jo në favor të lojtarëve reprezentues, duke përfshirë të prekurin nga COVID-19, japonezin Genki Haraguchi.

“Ndihmon fakti që është pushimi për ndeshje ndërkombëtare. Por lojtarët e përfaqësueseve nuk mund të shfrytëzojnë nominimin që u është bërë. Kjo vlen për Haraguchin, Sei Muroyan, Valmir Sulejmanin, Florent Muslijan, Simon Faletten, Jaka Bijolin dhe Niklas Hultin”, ka theksuar drejtori sportiv i Hannoverit, Gerhard Zuber.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ende nuk e ka shpallur listën për tri ndeshjet e marsit. Por sipas zyrtarit të klubit gjerman Muslija e Sulejmani kanë pranuar ftesat.

Edhe në ndeshjet e vitit të kaluar Kosova ka pasur telashe të mëdha me koronavirusin, njëjtë si të gjitha përfaqësueset e tjera. Por për shkak të numrit të kufizuar të lojtarëve në konkurrencë, te Kosova mund të jenë ndier më shumë mungesat.

Kosova më 24 mars luan miqësore ndaj Lituanisë. Më 28 mars për Kosovën nisin kualifikimet për Botërorin 2022. Në Prishtinë luhet ndeshja me Suedinë. Ndërkohë më 31 mars është ndeshja Spanjë – Kosovë.

Për disa lojtarë mund të jetë problematike kërkesa për izolim pas kthimit nga grumbullimi me Kosovën. Dhe për këtë arsye nuk përjashtohet mundësia e mungesave të tjera.

Shpërndaje në: