Serbia futet në listën e zezë të Google

Serbia futet në listën e zezë të Google

Kompania Google e ka vënë Serbinë në listën e zezë të tyre dhe ka ndërprerë bashkëpunimin dhe qasjen në ekosistemin e tyre G Suite.

Në kuptimin më të tjeshtë, kjo do të thotë që përdoruesit e shërbimeve  të Google kanë mbetur pa mjete për shkak të të cilave po bënin biznes dhe po  punonin krah për krah me bizneset e klasit botëror.

Google ende nuk i ka zbuluar zyrtarisht arsyet pse vendosi të marrë këtë masë ndaj Serbisë, raporton Vice, transmeton Periskopi.

Megjithatë, kompania pritet që së shpejti të dalë me një deklaratë zyrtare për shtyp dhe të tregojë arsyet e këtij veprimi.

Supozimi themelor në komunitetin IT të Serbisë është se Google po i përmbahet rekomandimeve të organizatës ndërqeveritare të FATF që e vendosën Serbinë në mesin e 11 vendeve me rrezikun më të lartë.

Kjo organizatë lufton pastrimin e parave dhe financimin e organizatave terroriste, ku përveç Serbisë në listë përfshihen edhe Koreja e Veriut, Etiopia, Siria, Iraku, Irani, Sri Lanka, Trinidad dhe Tobago, Tunizi, Jemen dhe Vanuatu.

G Suite – i njohur më parë si ‘Google Apps for Work’ dhe ‘Google Apps for Your Domain’ – është një sistem i softuerëve dhe produkteve të reja për kompjuterë, të zhvilluar nga Google.

Qëllimi i tij është të sigurojë bizneset me të gjitha mjetet që lehtësojnë biznesin në kohë dixhitale. Megjithëse ende nuk ka njoftim zyrtar, qasja në sistemin Suite për përdoruesit e rinj nga Serbia është e pamundur.

Vendosja e Serbisë në listën e zezë gjithashtu do të ketë pasoja për përdoruesit e tanishëm të biznesit të shërbimeve të Google të cilët mund t’i qasen llogarive të tyre dhe t’i përdorin ato. Pra ata nuk do të jenë në gjendje të përdorin opsione të reja kur ato futen nga Google, ose të përditësojnë versionet e reja të Suite./Periskopi/

Shpërndaje në: