Serbët e Kosovës me pasaporta serbe nga sot mund të udhëtojnë në vendet e BE’së pa viza

Serbët e Kosovës me pasaporta serbe nga sot mund të udhëtojnë në vendet e BE’së pa viza

Bartësit e pasaportave serbe nga Kosova, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, prej sot mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së, pasi ka hyrë fuqi Rregullorja për heqjen e vizave, e cila është publikuar në Gazetën Zyrtare të BE-së më 23 shtator.

“Kjo Rregullore është plotësisht e detyrueshme dhe zbatohet drejtpërdrejt në shtetet anëtare në përputhje me Traktatet”, shkruan në dokument, raporton televizioni publik serb RTS.

Danijell Apostolloviq, ambasadori i Serbisë në BE, ka thënë se ky është një lajm i mirë, sepse sipas fjalëve të tij, “eliminoi padrejtësinë dhe trajtimin diskriminues të BE-së ndaj serbëve nga Kosova”, sepse ata ishin të fundit nga Ballkani Perëndimor që iu mundësua regjimi pa viza.

Ai ka thënë se vendimi ishte rezultat i një lufte diplomatike të zyrtarëve serbë.

“Siç e dini, pala prishtinase e kundërshtoi miratimin e këtij vendimi, me argumente “të pakuptimta”, e cila edhe një herë tregoi jokonstruktivitet dhe mbi të gjitha qëndrim çnjerëzor ndaj qytetarëve dhe se qëllimi i tyre nuk është normalizimi i përditshmërisë së njerëzve. Për fat të mirë argumentet e palës sonë fituan”, ka thënë Apostolloviq.

Ai ka shprehur mirënjohjen e tij për komisioneren Ilda Johansson, për Matjazh Nemec, i cili ishte raportues për këtë çështje, si dhe deputetë të shumtë të Parlamentit Evropian që e miratuan këtë vendim me shumicë votash. Prej tyre 406 votuan për, 97 ishin kundër, përkujtoi ambasadori Apostolloviq.

Më 18 shtator, në Strasburg, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian (PE) dhe Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) nënshkruan ligjin për heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, të cilat Kosova i cilëson si ilegale.

Më 22 korrik, Këshilli i BE-së miratoi vendimin për heqjen e vizave për mbajtësit e këtyre pasaportave.

Shpërndaje në: