Selmanaj: Përgjigja në pyetjet parlamentare është obligim dhe jo dëshirë
Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se në kuptim të zbatimit të demokracisë, legjislaturë, sipas tij, më të stërkeqe nuk ka pasur asnjëherë.
“Asnjëherë, asnjëherë po e them me përgjegjësinë maksimale”, u shpreh ai, të mërkurën në tryezën e diskutimit të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, me rastin e publikimit të raportit me titull: “Mos efikasiteti i hetimit parlamentar (Mungesë e vullnetit dhe problemet ligjore)”.
Selmanaj tha se nuk ka të drejtë Qeveria të zgjedh nëse do t’iu përgjigjet apo jo një deputeti, pasi kjo është detyrim kushtetues, përshkrim i detyrave të punës që ai me ardhë në Kuvend dhe me iu përgjigj një deputeti.
Sipas tij, sjellja e tillë është si në diktaturë, me papërgjegjësi. Thotë se partia në pushtet ka fituar mbi 50% dhe kanë frikën e opozitës e cila ka qenë e vogël në numër.
Deputeti shtoi se më së paku në këtë legjislaturë ka pasur dëgjime publike për ligjbërje, duke thënë se kjo Qeveri nuk dëshiron të konsultohet me grupe të interesit e shoqërinë civile. Tha se në seancën e fundit 20 ligje kanë kaluar jashtë rregullores së Kuvendit dhe në kundërshtim me Kushtetutën, raporton Betimi për Drejtësi.
Selmanaj thotë se thirren seanca dhe mbledhje të komisionit pa dakordim me opozitën dhe në minutat të fundit.
“Ishte ora 2:00, ata thonin me u mbledhë 1:56, 1:57, ka një minutë ia linin komisioneve të përhershme, ajo që më linte përshtypje është si një njeri i vetëm me u çu me thanë, jo bre se nuk bën kështu ose prit t’i japim pak vetëm kohë të paktën një orë, ta ftojmë opozitën…”, tha tutje ai.
Deputeti i LDK-së, tha se shumicës s’iu kanë mjaftuar 2 muaj të shkruajnë ligje, ndërsa kanë vendosur më një minutë.
Veç kësaj, shton se kërkonin të hetonin se çfarë po ndodhë me krizën e energjisë eklektrike, e pozita thoshte të hetojnë çka ka ndodhur në këto 20 vite, por që as si të tillë nuk pranonin të formohej ky komision.
“Kur kjo nuk iu funksiononte, atëherë filloi abuzimet dhe deskrutiviteti i komisioneve deri në fund çka mos me i miratu raportet”, u shpreh Selmanaj.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të mërkurën organizoi tryezë diskutimi me rastin e publikimit të raportit me titull: “Mos efikasiteti i hetimit parlamentar (Mungesë e vullnetit dhe problemet ligjore)”. Ky aktivitet organizohet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2024”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile (IKD, FOL, INPO) me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”.