Sekuestrohet një armë në Banjskë

Sekuestrohet një armë në Banjskë

Policia e Kosovës ka njoftuar në raportin 24-orësh se gjatë kontrollit në një shtëpie në Banjskë të Zveçanit të shtunën është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull/k, pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri Karabinë e kalibrit 7.9 mm”, thuhet në njoftim.

Sipas organeve të rendit, me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndryshe, një grup i armatosur më 24 shtator të 2023-së, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në këtë fshat të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës fillimisht kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi – deri tek ngritja e aktakuzës ndaj 45 personave

Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç e pranoi organizimin dhe përfshirjen në këtë sulm terrorist.Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas ishte liruar nga paraburgimi, transmeton albanianpost.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Veri të Kosovës, çoi në gjetjen e një arsenali të madh armësh të kontrabanduara në Kosovë, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.

Në përmasa tejet të mëdha, policia gjeti raketahedhës, granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë e shumë armë të kalibrit më të vogël.

Shpërndaje në: