Sekuestrohen 670 mijë litra naftë kontrabandë në Durrës, arrestohen tre persona
Policia e Durrësit njoftoi se ka sekuestruar 670 mijë litra naftë që dyshohet se është kontrabanduar nga Tunizia. Autoritetet arrestuan 3 persona pas operacionit të koduar “Ari i zi”. Në pranga ranë shtetasit: Mohammd Kahilah, Eneo Cano dhe Sushil Vema.
Gjithashtu u sekuestrua edhe anija me të cilën ishte kontrabanduar nafta, 14 dokumente identifikimi dhe dokumente për lundrim, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për rastin.
“Si rezultat i punës së inteligjencës policore dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, Antikontrabandës dhe Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DPPSh-së, Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, Degës së Doganës Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Ari i zi”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasi sirian M. K., 45 vjeç, me detyrë kapiten i anijes, shtetasi shqiptar E. C., 43 vjeç, me detyrë marinar i anijes, si dhe shtetasi indian S. V., 42 vjeç, me detyrë oficer i parë i anijes. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit E. S., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe F. B., 29 vjeç, banues në Zvicër”, tha policia.
Më tej, gjatë këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit.
Nga kontrolle në anije, në balestrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën përkatësisht 670 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.