Sekretari Hegseth: SHBA synon zgjidhje diplomatike për paqe të qëndrueshme në Ukrainë

Sekretari Hegseth: SHBA synon zgjidhje diplomatike për paqe të qëndrueshme në Ukrainë

BRUKSEL – Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth hodhi poshtë të enjten kritikat ndaj strategjisë që po ndjek Uashingtoni në negociatat me Rusinë për përfundimin e luftës në Ukrainë. Ai paralajmëroi gjithashtu Evropën që të mos e shfrytëzojë Amerikën duke e bërë përgjegjëse për mbrojtjen e saj.

Ai tha se aleatët evropian duhet të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e Evropës.

Në turneun e parë ndërkombëtar, Sekretari Hegseth nxiti reagime në Evropë pas deklaratës të bërë të mërkurën se kthimi i Ukrainës në kufijtë e para vitit 2014 ishte jo realist dhe se administrata e Presidentit Trump nuk e sheh anëtarësimin e Kievit në NATO si pjesë të zgjidhjes për luftën e shkaktuar nga sulmi i Rusisë në vitin 2022.

Sekretari Hegseth tha gjatë konferencës se Shtetet e Bashkuara synojnë “një përfundim diplomatik, paqësor të luftës në Ukrainë në një formë që krijon paqe të qëndrueshme”.

Sipas kritikëve, komentet e Sekretarit Hegseth po shihen sikur Shtetet e Bashkuara po heqin dorë nga avantazhi që gëzojnë në raport me Rusinë përpara nisjes së negociatave, duke e cilësuar këtë si një fitore të madhe për Presidentin rus Vladimir Putin.

Sekretari Hegseth mbrojti komentet e tij të enjten si njohje të realitetit në fushëbetejë dhe la derën hapur për manovra amerikane gjatë negociatave që mund të duken si lëshime, përfshirë për çështje siç janë furnizimet amerikane për Ukrainën dhe numrin e forcave të stacionuara në Evropë.

“Mendoj se është e drejtë të thuhet se fondet për të ardhmen, qoftë më pak apo më shumë, mund të jenë pjesë e negociatave”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se nuk do t’i paraprijë njoftimeve të Presidentit Trump.

Presidenti Trump bisedoi me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të mërkurën dhe i udhëzoi zyrtarët amerikanë të fillojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës gati tre vjeçare.

Qasja e Presidentit Trump, shoqëruar me ato që po shihen si lëshime në raport me kërkesat kryesore të Ukrainës, ka ngjallur shqetësime si për Kievin ashtu dhe aleatët evropianë në NATO. Këta të fundit thanë se druhen se Shtëpia e Bardhë mund të arrinte një marrëveshje pa ta.

“Ne, si një vend sovran, thjesht nuk do të pranojmë asnjë marrëveshje që do të bëhet pa ne”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Zyrtarët evropianë mbajtën një qëndrim jashtëzakonisht të fortë në publik ndaj propozimeve paraprake për paqe të zotit Trump, duke thënë se çdo marrëveshje do të ishte e pamundur të zbatohej nëse ata dhe ukrainasit, nuk përfshiheshin në negociata.

“Çdo zgjidhje e shpejtë është një marrëveshje e padrejtë”, tha shefja e politikës së Jashtme në BE, Kaja Kallas. Ajo kritikoi ashpër gjithashtu lëshimet e ofruara paraprakisht.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte deklaroi se është e rëndësishme që Presidenti rus Vladimir Putin e kupton që Perëndimi është “i bashkuar” ndërkohë që fillojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës me Ukrainën.

“Natyrisht, nuk e di se çfarë saktësisht po mendon Presidenti Putin”, deklaroi Rutte. “Ai është negociator i fuqishëm, është shumë i paparashikueshëm, porn ë fund nëse duam një marrëveshje paqësore atëherë ai na duhet aty”.

Ai shtoi se Ukraina do të jetë e përfshirë në çdo formë në një marrëveshje paqeje.

Sekretari Rutte po ashtu tha se udhëheqësit kurrë nuk i kishin premtuar Ukrainës se do të bëhej anëtare e NATO-s nëse arrin një marrëveshje paqeje me Rusinë.

“Duhet të sigurohemi se Vladimir Putin kurrë nuk do të përpiqet që të sulmojë sërish Ukrainën, kjo është thelbësore… por Ukrainës kurrë nuk i është premtuar që pjesë e marrëveshjes paqësore do të jetë pjesë e NATO-s”, deklaroi Sekretari Rutte.

Sekretari Hegseth hodhi poshtë idenë se ai po minonte sigurinë evropiane dhe atë të NATO-s.

“NATO është aleancë shumë e mirë, aleanca më e suksesshme ushtarake në histori, por për t’i bërë ballë të ardhmes partnerët tanë duhet të bëjnë shumë më shumë për mbrojtjen e Evropës. Duhet ta bëjmë NATO-n të madhërishme përsëri”, tha ai.

Deklaratës së Sekretarit Hegseth të enjten i bëri jehonë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

“Qëndrimi i Presidentit për NATO-n është i njëjtë me atë që ka patur çdo president tjetër dhe kjo është se shumë nga aleatët tanë në NATO, nuk bëjnë mjaftueshëm për sigurinë e tyre”, deklaroi ai.

Sipas Sekretarit Rubio çdo president tjetër ka pasur të njëjtën ankesë, po Presidenti Trump e ka seriozisht dhe po e bën të qartë këtë gjë.

“Nëse do të shpjegoja pikëpamjen e Presidentit për NATO-n, pikësëpari, ata duhet të bëjnë më shumë”, shtoi ai.

Në të ardhmen, sipas Sekretarit Rubio “duhet të zhvillohen diskutime rreth asaj nëse Shtetet e Bashkuara duhet të prijnë në sigurinë e kontinentit apo të ndihmojnë për sigurinë e tij”./voa

Shpërndaje në: