UP-së nuk i duhet asgjë autonomia
1.Heshtja për ‘symbylljen kolektive’
Në një hulumtim/analizë në lidhje me gjendjen në Universitetin e Prishtinës, sa isha pjesë e gazetës Preportr që funksionon në kuadër të Organizatës Çohu, kam përfunduar se UP-së nuk i duhet tash për tash asgjë autonomia. Avokues të kësaj autonomie janë thuajse të gjithë zyrtarët e lartë të këtij Universiteti, duke përfshirë profesorët, rektorët e prorektorët, dekanët dhe ekspertët e arsimit. Për ironi, korit të avokuesve të autonomisë së UP-së i janë bashkuar edhe organizatat e shoqërisë civile (edhe Çohu që kishte botuar atë artikull) të cilat po kërkojnë llogari nga kryeministri Haradinaj për shkarkimin en block të anëtarëve të bordit të Agjencisë së Akreditimit. Sidoqoftë, vendimin e Haradinajt për shkarkimet në fjalë – pavarësisht që i mbështes intervenimet politike – nuk e kuptoj dhe nuk e di çka synon.
Vetë rektori i mëhershëm i UP-së, Ramadan Zejnullahu, në një shkrim autorial bënte thirrje të dëshpëruar që profesorët të hiqnin dorë nga avancimet e parregullta. Ai kishte thënë diçka, të cilën shumë njerëz që merren me UP-në e heshtin: UP-ja qëndron në themele të shtrembërta. Dhe natyrshëm, i gjithë zhvillimi i Universitetit doli i shtrembër.
“Në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta, kemi pasur misionin e krijimit të kuadrit tonë, prandaj edhe shumë shpesh, i kemi mbyllur sytë kur është dashur të vlerësohet puna e dikujt, për të mos i dëmtuar proceset tona” – shkruan Zejnullahu.
Ky është pakashumë një ‘sekret publik’. Të gjithë e dinë por askush nuk e thotë. Edhe nëse e thotë, nuk bën as përpjekjen më minimale të kuptojë pasojat e tmerrshme që i vuan edhe sot UP-ja si rrjedhojë e ‘kontributit të saj kombëtar’. Paramendojeni, kishte një ‘symbyllje’ të çorganizuar (‘shumë shpesh’ thotë rektori) kolektive për shkeljen e kritereve akademike, në të mirë të proceseve kombëtare. Deklarata e mësipërme e ish-rektorit nuk bëri kurrfarë jehone, dhe me të nuk u mor askush.
Thuaj në tërësi profesorët që prodhuan profesorë të rinj, ishin jokredibilë e të prodhuar nga një symbyllje kolektive. Çështja e symbylljes u trashëgua nga gjenerata në gjeneratë, dhe është evidente që tentohet të bëhet edhe sot brenda ambienteve të UP-së. Madje, tashmë mund të jetë kaluar nga çorganizimi (shumë shpesh) në organizim (gjithnjë).
“Kriteret janë saktësuar edhe më shumë me statutin e vitit 2012, por ja që ne nuk e kemi respektuar as statutin e vitit 2004 as atë të vitit 2012”, shkruan më poshtë ish-rektori që gëzonte simpatinë më të madhe të shoqërisë civile dhe opinionit publik. Vetë rektori nuk flet në veten e parë njëjës (unë), por në veten e parë shumës (ne). Ai e futë veten mes gjithë shkelësve të statuteve. Pra, po flasim për diçka të frikshme. Për çfarë autonomie mund të flitet në këtë rast?
Në Universitetin e Prishtinës nuk ka ndërhyrë asnjëherë politika në mënyrë institucionale, të menduar e të organizuar. Si pasojë e kësaj, me autonominë që kishte, Universiteti u nënshtrua krejtësisht ndaj diskurseve shoqërore të para dhe pas luftës. Para lufte, menduan pa të drejtë se i kontribuonin çështjes kombëtare duke ‘i mbyllur sytë’ para mos-përgatitjes akademike të kuadrove. Pas lufte, diskursi nuk kishte asnjë kauzë për të justifikuar dobësinë e shoqërisë, e prandaj ajo që bëri ishte një hapje e plotë e dyerve për secilin që donte diplomë, ose që kërkonte të bëhej profesor universitar. Në një shoqëri të paarsimuar si kjo e jona, kërkesa për lehtësi në shkollim e studim, është fare e pritshme. Por, ndaj kësaj kërkese duhet rezistuar dhe UP-ja nuk e kishte fuqinë për rezistencë. Ajo u konformua, dhe si shërbyese e kërkesave të shoqërisë është edhe sot.
Natyrisht, në UP ka njerëz të pushtetshëm. Ka profesorë që gravitojnë kah partitë më të fuqishme politike në Kosovë. Por, tkeqja e UP-së nuk ka nisur nga ta. Ata nuk janë shërbyer nga partitë e tyre për pozitat akademike që mbajnë. Krejt çka duan këta profesorë, dhe çdokush që i trembet kritereve dhe një forcimi të këtij universiteti është mirëmbajtja e kësaj gjendjeje. Symbyllur kritikojmë, symbyllur punojnë – dhe kësisoj asgjë nuk ndryshon.
2.Prioritetet
Nëse e pranojmë se ‘ndërhyrja politike në UP’ është e përligjur për sa është e mirëmenduar dhe e organizuar, atëherë besoj që duhet të jenë tri prioritete kyqe: 1) përforcimi i komisioneve etike dhe disiplinore. Por, kjo është më shumë në rrafshin strategjik (ashtu siç janë prioritetet, ndërmarrje operacionale). Qëllimi është në ngulmimin për zbatimin e statutit. Duhet të rritet dhe funksionalizohet ndëshkueshmëria. Pa ndëshkim, sado i dhimbshëm qoftë ai, nuk ka përmirësim. Duhen formuar grupe operacionale formale a joformale që do të mbikëqyrnin performancën e profesorëve në ligjërata e provime. Pse jo, siç bëjnë universitetet tjera prestigjioze në botë, të regjistroheshin të paktën ligjëratat e degëve të shkencave sociale e humane dhe të publikoheshin në YouTube. Ky do të ishte një proces që do të rriste menjëhershëm përgjegjshmërinë, kreativitetin dhe për rrjedhojë edhe cilësinë. Sillabuset ekzistojnë, ashtu siç ekziston metodologjia e notimit të studentëve – por të gjithë jemi dëshmitarë se faktikisht ato nuk respektohen as përafërsisht nga thuaj asnjëri profesor. Këto komisione etike e disiplinore dhe grupet përcjellëse, do të merreshin poashtu me çështjen e avancimeve akademike, duke mos lejuar shkelje, e madje edhe duke i ndëshkuar ato. Punë jo e lehtë, por e domosdoshme. Si pjesë strategjike e këtij procesi për ngritjen e cilësisë në universitet, duhej të ishte ripërpilimi i të gjitha provimeve pranuese dhe njëkohshëm, evidentimi i parregullsive të mundshme në atë proces. Edhe nëse UP-ja do të ‘humbte’ një pjesë të madhe të studentëve, dhe do të varej financiarisht nga Qeveria, kjo nuk do ta tkeqte gjendjen e saj – sepse autonomia UP-së nuk i është cënuar dhe nuk i cënohet nga politika të ndryshme që kanë të bëjnë me arsimin e lartë.
2) Rishikimi i të gjitha teksteve me të cilat punohet. Përfshirë këtu edhe një rimendim kritik të tyre. Nuk është fjala thjesht për librat të cilat duhen lexuar dhe kuptuar, por poashtu për sillabuset e përgatitura dhe kurset në përgjithësi. Është evidente se shumë tekste nuk e meritojnë të jenë pjesë e sillabuseve universitare, ndërsa është evident poashtu fenomeni i njohur i mësimit përmes ‘skriptave’ të përgatitura nga studentë e profesorë. Kjo do të godiste praktikën e dëmshme të improvizimit, dhe do t’i jepte shtysë të madhe përgatitjes më të qartë të kurseve studimore që ndiqen nga degët e ndryshme të UP-së dhe vetë cilësisë në studim. Shumica e degëve në hartimin e lëndeve përgjatë kursit trevjeçar (ose katër e më shumë) nuk e kanë të qartë se çka duan që studentët të arrijnë në fund të kursit, dhe se çfarë dijesh duan t’iu mësojnë atyre. Ky është një problem shumë i madh. Sepse, po flasim për një universitet publik që e ka lënë të pastruktuar mirë procesin studimor, dhe që nuk e kupton se për çka funksionon.
3) Shtytja e profesorëve për t’u marrë me hulumtime shkencore. UP-ja nuk prodhon shkencë. Nuk e ka asnjë revistë serioze shkencore, dhe nuk ia del që të stimulojë angazhimin në aspektin shkencor. Natyrisht, hapat që i përmenda si pjesë të dy prioriteteve të mësipërme do të ndihmonin edhe hapin e tretë përmes krijimit të një fryme tjetërsoj e cila do të shpërndahej ngado në universitet. Por, mbase edhe një hap tjetër është i rëndësishëm në mënyrë që të dilet nga simulimi i panevojshëm ku “bëjnë sikur merren me shkencë, bëjnë sikur ligjërojnë e bëjnë sikur janë profesorë”. Hapi që më vjen ndërmend, është thjesht krijimi i një fondi për financimin e kërkimeve shkencore.