Sarrazin për kërkesën e Kurtit në Berlin: Sanksionet duhet t’i adresojmë, por Qeveria e Kosovës po na befason
Përfaqësuesi Special i Qeverisë Gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin së fundi ka folur në lidhje me kompromisin e arritur mes Kosovës dhe Serbisë pak para samitit të Procesit të Berlinit, derisa u pyet edhe rreth masave ndëshkuese të vendosura para më shumë se një viti nga Bashkimi Evropian.
Sarrazin në një paraqitje të tij në “Atlantic Council”, ka thënë se “vullneti politik” i liderëve mundësoi samitin e suksesshëm, derisa falenderoi liderët e Kosovës dhe Serbisë që bënë kompromis për të zhbllokuar CEFTA-n.
“Do të doja të theksoja që nuk është personi apo institucioni që po ndërmjetëson, është vullneti politik i liderëve që e bënë të mundur që të kemi një samit të suksesshëm gjatë së hënës në Berlin në përvjetorin e 10-të të Procesit të Berlinit.
Gjermania tentoi të ndërmjetësojë për të gjetur një marrëveshje duke theksuar atë që ne mendojmë se është rruga e duhur për të ecur përpara. Mendoj që duhet të jemi falenderuar për liderët e Kosovës dhe Serbisë që bënë këtë kompromis dhe gjetën rrugën përpara për të zhbllokuar CEFTA-n.” – u shpreh ai, transmeton Nacionale.
Anise paralajmërimet i kishte të qarta para arritjes së këtij kompromisi, Sarrazin nuk dha shumë detaje se si erdhi deri te kjo pikë.
“Mendoj që në fund rezultati është vendimtar, dhe nuk është shumë e rëndësishme se në cilën minutë të lojës u shënua. Mendoj që Samiti ishte sinjali dhe kemi pasur vendimin e CEFTA dssa ditë para samitit, në fund, çdo gjë funksionoi sipas planit”.
Ndërkohë, pyetja e radhës për Sarrazin kishte të bënte me kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Berlin, ku edhe një herë bëri thirrje për heqje të masave ndëshkuese.
“Pas Samitit të Berlinit, kryeministri Kurti në takime me liderë kërkoi heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosova, cila është pikëpamja e juaj personale në këtë dhe pozicioni i Gjermanisë?” – u pyet Sarrazin.
Këtu, diplomati gjerman tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri kanë befasuar partnerët, të cilët, po tentojnë të sigurojnë shumicën në institucionet e BE-së për heqjen e masave.
“Mendoj që është e qartë që pas Banjskës, për shumë njerëz në Kosovë, masat shihen si jo të balancuara, dhe mendoj që duhet ta adresojmë. Në anën tjetër, veprimet e pakoordinuara dhe të njëanshme në veri, duke na befasuar neve dhe partnerëve që po mundohen të sigurojnë shumicën për këtë në institucionet evropiane, nuk po jepni shanse për të pasur sukses.” – tha Sarrazin, transmeton Nacionale.