Sarrazin jo i kënaqur nga takimi me Kurtin: Duhen kompromise jo të lehta mes Kosovës e Serbisë
Përfaqësuesi Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka theksuar se mënyra e vetme për vendet e Ballkanit është bashkëpunimi rajonal, teksa ka thënë se po e lë Kosovën i shqetësuar sepse “nuk jemi ende aty”.
Sarrazin ka kërkuar po ashtu kompromis dhe gatishmëri për koncesion në marrëveshje politike të cilat, siç tha ai, nuk janë të lehta as për Serbinë dhe as Kosovën.
“Një ndër punët e mija kryesore në Qeverinë Gjermane është përgatitja e Procesit të Berlinit. Do të jetë 10 vjetori i këtij procesi, i cili u nis për të rritur bashkëpunimin rajonal. Ideja është që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të përafrohen me BE-në. Për këtë, bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm”.
“Kufijtë po bëhen më pak të rëndësishëm, tregtia, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi janë të rëndësishëm për këtë. Kam vizituar Prishtinën sot dhe do të vazhdoj me vizita ditëve të ardhshme në Ballkanin Perëndimor për të përgatitur rezultate konkrete për njerëzit e Ballkanit që të kthehen në rrugë për të ecur përpara. Na duhet kompromis dhe gatishmëri për koncesion për marrëveshje politike të cilat nuk janë të lehta as për Serbinë dhe as Kosovën”.
“Po iki i shqetësuar që nuk jemi aty ende. Nëse nuk marrim rezultate më të mira para samitit më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk e kemi arritur qëllimin tonë që bashkëpunimi rajonal, tregu i përbashkët rajonal është formati i duhur për të arritur rezultate konkrete për njerëzit e Ballkanit”, ka thënë Sarrazin, raporton EO.
Ai ka thënë se ka folur me kryeministrin Kurti për këtë dhe se s’do të ndalet së foluri edhe me liderët e tjerë ballkanas për arritjen e Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimin rajonal.