Samsung investon në zhvillimin e automjeteve pa shofer
Prodhuesi më i madh në botë i çipave të memories dhe telefonave të mençur, Samsung do të investojë 75 milionë euro në një kompani, e cila merret me zhvillimin e teknologjive për makinat pa shofer.
Kompania koreane njoftoi se do të investojë 75 milionë euro në kompaninë austriake me seli në Vjenë – TTTECH, e cila furnizon teknologjinë e automjeteve autonome Audi dhe kompani të tjera të makinave.
Lajmi për investimet e Samsung në një partner të kompanisë Audi vjen pasi koreanët përfunduan marrjen e prodhuesit amerikan të auto-pjesëve, kompaninë Harman.
Samsung ka njoftuar se në kuadër të Harman, ka formuar një njësi biznesi që do të merret me zhvillimin e automjeteve autonome dhe sistemet e avancuara elektronike për asistimin e makinës.
Investimi në TTTECH është i pari i këtij lloji nga fondi prej 300 milionë dollarësh (250 milionë euro), të cilin kompania Samsung e ka dedikuar për avancimin e automobilave pa shofer, inteligjencën artificiale dhe sistemin e sigurisë.