Sali Berisha: Kërkojmë shtyrjen e afatit të regjistrimit të diasporës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me votën e diasporës gjatë një konference për gazetarët nga selia blu.
Ai u shpreh se miratimi i një akti nga parlamenti që jep mundësinë shqiptarëve jashtë vendit të votojnë me dokumente të skaduara, ka ardhur vetëm pesë ditë para përfundimit të regjistrimit.
Berisha: Dje parlamenti miratoi një akt vetëm 5 ditë përpara përfundimit të afatit të regjistrimit, në të cilin bën të mundur të votojnë me dokumente të skaduara qytetarët shqiptarë jashtë vendit.
Rama i përgjigjet akuzave të Berishës: Ëngjëll Agaçi ndodhet për kurim në Itali, nuk po kërkohet nga drejtësia
Së pari, unë u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve jashtë vendit të bëjnë gjithçka që këto 4 ditë që kanë mbetur, të shumëfishojnë numrin e shqiptarëve jashtë vendit që do votojnë më 11 maj dhe të bëhen kontributorë historikë në përmbysjen e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, narkoshtetit të Edi Ramës.
Vota e tyre ka një rëndësi përcaktuese.
Së dyti, kërkoj, dhe zyrtarisht do paraqesim kërkesën pranë KQZ, që të shtyhet afati i regjistrimeve pasi ky akt ka dalë shumë, shumë, shumë me vonesë.
Pra, ky akt i votuar vetëm 5 ditë para skadimit të afatit të regjistrimit, de facto e bën të pazbatueshëm në kuptimin që edhe njoftimi për miratimin e këtij akti është një njoftim shumë i mangët.
Ndaj dhe kërkoj shtyrjen e afatit të regjistrimit.
Dhe së fundmi kërkoj, dhe do dërgoj në Gjykatë Kushtetuese, respektimin e barazisë së shtetasve shqiptarë kudo që janë. Vlefshmërinë e dokumenteve të skaduara si për qytetarët në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit.
Nuk kanë asnjë të drejtë të bëjnë këtë diskriminim të madh përveç fobisë nga vota e qytetarëve shqiptarë.
Ky është një akt i turpshëm dhe ne do bëjmë çdo gjë që qytetarët shqiptarë të konsiderohen të barabartë para ligjit.