Sa thellë mund ta plagosin demokracinë ‘plumbat qorr’ si ata të rezervistit Prindon?
E mira është se ai e thotë atë që e mendon, e keqe është ajo çka ai mendon*.
Para dy netësh, një njeri me shumë tituj: Zotëri i Parë, rezervist në Ushtrinë e Kosovës dhe më e rëndësishmja diplomat i Republikës (si dhe personalitet i vitit nga Periskopi) zbrazi ‘karikatorin rezervë’ mbi mediat kosovare, duke i quajtur ‘Ndërmarrje të Përbashkëta kriminale’.
Kjo, shkurt e për të mos u përsëritur se pse, ndodhi lidhur me një raportim të mediave për shpenzimet e udhës së Presidentes Osmani në kohën sa ishte deputete e Kuvendit, për të cilat mediat dyshuan e raportuan mbi dokumente publike të Kuvendit, se mashtroi.
Togfjalëshi ‘Ndërmarrje e Përbashkët kriminale’ po cilësohet me të drejtë e me shqetësim të madh nga ambasadat dhe organizata ndërkombëtare që mbrojnë gazetarët, si sulm i rëndë mbi lirinë e mediave.
Tendenca për t’i kriminalizuar mediat, për një kritikë që s’dukej e s’ishte personale, Prindoni e ktheu në personale. Nuk po merremi fare me togun e fjalëve të Prindonit, që prej kohësh mund të mos e kemi dëgjuar, ose e kemi dëgjuar së fundmi shpesh tek përdoret vetëm në Gjykatën Speciale.
Letra shfajësuese e Prindonit, e qet Zotëriun e Parë patriarkal, që gjithmonë do të jetë aty ta mbrojë ‘nderin e gruas’ nga kushdo që ia ‘prekë atë dhe personat e zemrës’.
Ka disa fjali që tingëllojnë e duken gënjeshtra në shkrimin e Prindon Sadriut,
E para;
“E kuptoj peshën e statusit tim të postuar mbrëmë (i cili qëllimshëm është devijuar nga disa)”
Zotëriu i Parë, nuk denjon as të kërkojë falje për etiketimin që ua bëri mediave si ‘ndërmarrje kriminale’. Fjalia më lart, nënkupton se në fakt këto ‘NPK-të mediale’ ia devijuan fjalët.
Rrëfimi në veten e parë për ‘punën e zellshme’ të Presidentes;
“Çdo ditë jam dëshmitar i punës së bërë nga Vjosa me aq përkushtim, zell, e besnikëri ndaj të gjithë qytetarëve të këtij vendi” (shkruan ai).
Prindoni mund të jetë personalisht dëshmitar i punës së Presidentes, por mund të ketë edhe një milion ‘dëshmitarë’ publikisht që kanë të drejtë ta vënë në dyshim punën e Presidentes dhe kjo nuk i bën ata automatikisht kriminelë.
Ajo që mbetet shqetësuese, është heshtja e vet Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani ndaj etiketimeve të tilla nga Zotëriu i Parë.
Sa për Ministrinë e Jashtme, s’po flasim hiç.
Pyetja që shqetëson është: sa e vrasin demokracinë këta plumba qorr – si këta të fundit ndaj mediave. Fushatat e organizuara linçuese ndaj mediave, nga njerëz të pushtetshëm, mund të mos duket se po e gërryejnë demokracinë aty për aty, por rezultatet e saj mund të kenë pasoja.
Shembulli i Prindonit se kritikave të gazetarëve ndaj gruas – Presidente, di t’iu përgjigjet me një ‘petk tjetër’ (cili është ai?!), janë tendenca për ta pezulluar demokracinë (me raste).
As nuk po dua të marr shembujt e frikësimeve të gazetarëve nëpër botë. Po pse jo, edhe në Kosovë. Janë shumë. Para pak ditësh, atyre më agresive nëpër botë, iu përgjigj Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ku thekson përkushtimin e shteteve demokratike për ta luftuar trendin e tillë nëpër botë, pra me një fjalë: i shpalli luftë luftës ndaj mediave.
Heshtja e institucioneve vendore për ‘Rastin Prindon’ është një lajm i keq për demokracinë tonë. Por, këtë lajm të keq, sado pak e zbehë lajmi i mirë: reagimi i shumë institucioneve e figurave ndërkombëtare në mbrojtje të gazetarëve.
*Në një shkrim/editorial të publikuar para shumë kohësh në NY Times, për kontraversin John Bolton, gazeta prestigjioze amerikane e nis artikullin:
“E mira është se ai e thotë atë që e mendon, e keqe është ajo çka ai mendon” ?