Sa të ndershëm jemi?

Sa të ndershëm jemi?

Është e zakontë të dëgjojmë njerëzit duke u ankuar se jetojmë në një kohë në të cilën interesi vetjak dominon, ku standardet morale kanë kolapsuar, dhe ku pak njerëzve iu bën për të tjerët, dhe shumica e njerëzve do të vidhnin nëse do të mendonin se nuk do të zbuloheshin. Por, një studim i ri i bërë në 40 shtete jep prova se bota nuk është as afërsisht aq e keqe.

E keni humbur kuletën. Brenda keni kartën e biznesit me e-mail adresën. Sa është e mundshme që të merrni një mesazh ku thuhet se e kanë gjetur atë? Nëse në kuletë kishte para, a e rrit apo ulë shansin që juve t’iu kthehet ajo, krejt e paprekur?

T’i shtrosh këto pyetje nënkupton po ashtu të pyesësh se në çfarë mase shumica e njerëzve janë në themel të ndershëm, apo se iu bën për të huajt. Disa psikologë evolucionarë argumentojnë se altruizmi është i limituara deri te të afërmit tanë dhe te ata që mund të na kthejnë të mirat që iu japim. A s’është kjo shumë cinike? Muajin e fundit, hulumtuesit nga Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra hodhën paksa dritë në atë pyetje kur publikuan rezultatet e një studimi të madh e gjenial ku përfshiheshin më shumë se 17 mijë kuleta ‘të humbura’ në 40 vende të ndryshme.

Nëpër banka, teatro, muze, hotele dhe zyre publike në 355 qytete të ndryshme, asistentët e hulumtuesve e linin nga një kuletë, duke i thënë personit që e zatetnin se e kishin gjetur në rrugë, por se ishin me ngut. Asistentët i kërkonin “që të merrej me të” dhe e linin pa i marrë detajet e kontaktimit apo pa i lypur ndonjë vërtetim.

Të gjitha kuletat ishin bërë nga një plastikë transparente, dhe tri karta biznesi identike dhe një e-mail adresë dukeshin menjëherë. Në kuleta ndodhej edhe një listë për blerje në dyqan, e shkruar me gjuhën lokale përkatëse. Disa kuleta i kishin nga 13,45$, apo atë shumë parash në valutën lokale, ndërsa të tjerat – në një testim të limituar në ShBA, Mbretëri të Bashkuar dhe Poloni – përmbanin 94.15$ apo ekuivalentin e saj. Shumica e kuletave e kishin edhe nga një çelës. Hulumtuesit regjistruan numrin e mesazheve që raportonin se e kishin gjetur kuletën në email adresë apo në karta biznesi. Për t’iu mundësuar hulumtuesve që të studionin faktorët që çonin në raportim, secila kuletë përmbante kartela me e-mail adresë të ndryshme nga njëra-tjetra.

Siç mund të pres dikush, rata e raportimeve prirej të ishte më e lartë në vendet më të pasura. Zvicra, Norvegjia, Holanda, Danimarka dhe Suedia ishin në majë të listës, me më shumë se 64 për qind të pronarëve të prezumuar që u kontaktuan për ato kuleta. Polonia dhe Republika e Çekisë ishin menjëherë pas – duke lënë prapa vende më të pasura si Australia, Kanadaja dhe ShBA-të.

Disa njerëz besojnë se njerëzit e fesë është më e mundshme t’iu binden rregullave morale se sa mos-besuesit, por studimi nuk e mbështeste këtë pikëpamje. Në Suedi, Danimarkë Norvegji dhe Republikë Çeke, të paktën 75% e popullsisë thotë se feja nuk është e rëndësishme për ta, e megjithatë pikërisht këto vende janë në majë për raportimin më të lartë të kuletave të humbura. Në anën tjetër, mbi 80% e popullsisë në Peru dhe Maroko thonë se religjioni është tepër i rëndësishëm për ta, por shkalla e raportimit të kuletave doli poshtë 25%-shit.

Sa i përket anës gjinore, doli se gratë e raportuan kuletën e humbur 2% më shumë se burrat. Ky studim mbështet të dhënat e mëparshme që sugjeronin se gratë kishin prirje të ishin më etike se burrat.

Rezultati më i papritshëm, megjithatë, ishte ai që tregoi se kuletat që kishin para ishte më e mundshme të raportoheshin te pronarët e prezumuar se kuletat që nuk kishin para. Kjo gjetje ishte konsistente në 38 prej 40 vendeve – me përjashtime që ishin Meksikoja dhe Peruja, ku paratë nuk kishin rëndësi në raportimin e ulët të rasteve.

Hulumtuesit konsideruan shpjegime të ndryshme të mundshme për këtë rezultat, përfshirë frikën se mund të ndëshkoheshin për mbajtjen e parave, pritjen që të shpërbleheshin për raportimin, dhe mundësinë se edhe kur kuleta e gjetur të raportohej, ajo do të kthehej pa para. Kur, kur u mblodhën kuletat, 98% e parave në to ishin kthyer. Evidenca tjetër tregonte se as frika nga ndëshkimi e as shpresa për shpërblim nuk ishin motivacionet primare për raportimin e gjetjes së kuletës.

Pse, atëherë, njerëzit do të raportonin një kuletë me para më shumë se një kuletë që nuk i kishte ato? Hulumtuesit propozuan katër faktorë që përcaktojnë nëse dikush me mundësinë për të kthyer kuletën do ta bënte: shpërblesa ekonomike për mbajtjen e saj, përpjekja për raportimin e saj, shqetësimi altruistik për pronarin, dhe averzioni nga të parit e vetes si hajn. Sipas këtij modeli, megjithëse prania e parave rriste shpërblesën ekonomike për mbajtjen e kuletës [dhe sa më shumë para, aq më e madhe shpërblesa], fitimi ekonomik u kapërcye nga kombinimi i shqetësimit altruistik dhe nga dëshira për ta parë veten si njeri të ndershëm.

Prova se shqetësimi altruistik luante rol në vendimin për ta raportuar kuletën te pronari vinte nga krahasimi i ratave të kthimit të kuletave me apo pa çelësin e vënë në to. Çelësi prezumohej të ishte i rëndësishëm për pronarin, por, në kontrast me paratë, nuk ka kurrfarë rëndësie për personin që e ka kuletën. Prandaj, është e pamundshme që të ketë relevancë për imazhin e personit që ka për veten si njeri i ndershëm e jo hajn. Prandaj, kuletat me çelës dhe para ishte më e mundshme që të raportoheshin te pronarët se ato me para por pa çelës, duke sugjeruar se nuk ishte veç shqetësimi për imazhin si njeri i ndershëm që e shtyri filanin të raportonte.

Të gjithë ne duhet të gëzohemi për këto gjetje. Është e zakontë të dëgjojmë njerëzit duke u ankuar se jetojmë në një kohë në të cilën interesi vetjak dominon, ku standardet morale kanë kolapsuar, dhe ku pak njerëzve iu bën për të tjerët, dhe shumica e njerëzve do të vidhnin nëse do të mendonin se nuk do të zbuloheshin. Por, një studim i ri i bërë në 40 shtete jep prova se bota nuk është as afërsisht aq e keqe.

Shpërndaje në: